Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi se Suedia dhe Turqia kanë bërë njëfarë përparimi në bisedimet e tyre në lidhje me anëtarësimin e Suedisë në NATO dhe tejkalimin e kundërshtimeve të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Megjithatë, ka ende dallime të forta midis qëndrimeve të tyre që duhet të adresohen.
Stoltenberg deklaroi se ai, Erdogan dhe kryeministri suedez Ulf Kristersson do të takohen në Vilnius, Lituani, të hënën, pak para samitit të NATO-s, për të diskutuar mbi këto dallime dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Shpresa ishte fillimisht për të zgjidhur çështjet përpara samitit, i cili do të kishte shënuar një moment simbolik dhe një shenjë se veprimet e Rusisë në Ukrainë po i shtyjnë vendet të anëtarësohen në NATO.
Më herët zyrtarë të lartë nga Suedia dhe Turqia shkuan në selinë e NATO-s në Bruksel për të adresuar kundërshtimet e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan ndaj anëtarësimit të Suedisë në aleancën ushtarake.
Bisedimet, të udhëhequra nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përfshijnë ministrat e jashtëm, shefat e inteligjencës dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare të të dy vendeve.
Përfaqësues nga Finlanda, e cila zgjidhi me sukses shqetësimet e Turqisë dhe u bashkua me NATO-n në prill, gjithashtu po marrin pjesë në këtë takim.
Delegacioni turk përfshin ministrin e Jashtën Hakan Fidan, këshilltarin e Erdoganit Akif Cagatay Kilic, zëvendësministrin e Jashtëm Burak Akcapar dhe shefin e inteligjencës Ibrahim Kalin.
Suedia dhe Finlanda braktisën politikën e tyre të gjatë të mosangazhimit ushtarak pas pushtimit rus të Ukrainës në muajin shkurt të vitit 2022 dhe aplikuan për anëtarësim në NATO.
Vetëm Turqia dhe Hungaria e kanë vonuar anëtarësimin e Suedisë, ndërsa 29 aleatët e tjerë, e kanë pranuar se Suedia ka përmbushur kërkesat e Turqisë.
Suedia ka bërë lëshime të tilla si ndryshimi i ligjeve kundër terrorizmit dhe heqjen e embargos së armëve ndaj Turqisë.
Turqia akuzon Suedinë se është mbron grupet që ajo i konsideron kërcënime të sigurisë, duke përfshirë grupet militante kurde dhe individët e lidhur me tentativën për grusht shteti të vitit 2016.
NATO kërkon miratimin unanim të të 31 anëtarëve për zgjerim.
Përpara takimit, një gjykatë suedeze shpalli fajtor një burrë turk për posedim armësh dhe tentativë për financimin e terrorizmit, duke vepruar në emër të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
PKK është përfshirë në një kryengritje në Turqinë juglindore që nga viti 1984 dhe është cilësuar si një organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Mbetet e pasigurt nëse ky veprim gjyqësor do të ndikojë në qëndrimin e Erdoganit.
Hungaria po vonon gjithashtu miratimin e kandidaturës së Suedisë pa shprehur qartë shqetësimet e saj. Zyrtarët e NATO-s parashikojnë që Hungaria do të ndjekë shembullin e Turqisë sapo Turqia të heqë kundërshtimet e saj.
Tensionet mes Suedisë dhe Turqisë janë nxitur nga një protestë për djegien e Kuranit jashtë një xhamie në Stokholm. Erdogan kritikoi Suedinë për lejimin e protestës.
Qëllimi i takimit aktual është të trajtojë shqetësimet e mbetura të Turqisë. Erdogan po kërkon gjithashtu avionë luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara, por presidenti Joe Biden ka treguar se anëtarësimi i Suedisë duhet të miratohet së pari.
NATO kishte shpresuar ta zgjidhte çështjen përpara samitit të saj në Lituani nga 11-12 korriku, pasi hyrja e Suedisë do të ishte një moment domethënës që simbolizon ndikimin e veprimeve të Rusisë në nxitjen e vendeve për t’u bashkuar me aleancën. Megjithatë, shpresat për një zgjidhje të shpejtë janë zvogëluar.