Ushtari hungarez, pjesë e KFOR-it, që u plagos në Zveçan më 29 maj, i është prerë këmba.

Mediet në Kosovë shkruajnë se disa nga ushtarët hungarezë të plagosur u dërguan në Hungari me aeroplan të mbrojtjes kombëtare të nesërmen, një ditë pas plagosjes gjatë tensioneve në veri.
Ministri hungarez i Mbrojtjes Kombëtare, Kristof Szalay-Bobrovniczky raportoi ato ditë se ishin gjithsej 27 ushtarë të plagosur dhe sipas këtyre raportimeveshumica prej tyre janë kthyer në shtëpi, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë maksimumin.

Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet kishte nevojë për amputim të gjymtyrës, gjë e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor.

Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është e qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë hungareze të Mbrojtjes.