Disa pjesë të Shteteve të Bashkuara pritet të regjistrojnë rekorde temperaturash këtë të diel, ndërsa qytetarët janë paralajmëruan për nivel të rrezikshëm nxehtësia gjatë javës së ardhshme.

113 milionë amerikanë, rreth 1/3 e popullsisë nga Florida në Kaliforni e Uashington janë këshilluar të kenë kujdes nga Shërbimi Kombëtar i Motit që thekson se qytetarët nuk duhet të nënvlerësojnë as rrezikun për jetën. Sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, 700 njerëz ndërrojnë jetë çdo vit për shkaqe që lidhen me të nxehtin në SHBA.

Të shtunën, termometri shënoi 48 gradë Celsius në Phoenix, Arizona. Të pastrehët atje kanë kërkuar ndihmë pasi janë paraqitur në qendrat shëndetësore me djegie të shkallës së tretë.

Lugina e Vdekjes në Kaliforni, një nga vendet më të nxehta në botë, parashikohet të arrijë 54 gradë Celsius, duke iu afruar temperaturave më të nxehta të regjistruara në Tokë.

Las Vegas mund të arrijë gjithashtu maksimumin e tij të të gjitha kohërave prej 47 gradë në ditët në vijim. Zyrtarët e motit atje paralajmëruan banorët se kjo nuk ishte “nxehtësia juaj tipike e shkretëtirës”.

“Kjo valë të nxehti nuk është nxehtësia tipike e shkretëtirës për shkak të kohëzgjatjes së saj të gjatë, temperaturave ekstreme të ditës dhe netëve të ngrohta. Të gjithë duhet ta marrin seriozisht këtë nxehtësi, përfshirë ata që jetojnë në shkretëtirë”, thuhet në njoftim.

Përdorimi i kondicionerëve në shtet ka kaluar rekordin e tij të mëparshëm për konsumin e energjisë, ndërsa parqet, muzetë dhe kopshtet zoologjike janë mbyllur ose kanë shkurtuar orarin e punës.

Në Kanadanë fqinje, zjarret e shkaktuara nga temperaturat mbi mesataren kanë djegur mbi 10 milionë hektarë tokë, ndërsa tymi ka mbuluar disa pjesë të SHBA-së.