Nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri, komentoi vizitën e ish-presidentit të SHBA, Bill Clinton në Tiranë. Ai tha në “Ballkan Update” se kjo vizitë e tij vjen në javën e parë, kur Kosova është ndëshkuar me sanksione nga BE-ja për shkak të kursit politik të Albin Kurtit.
Sipas Hazirit, gjatë fjalës së tij, Bill Clinton pritet të flasë edhe për situatën e acaruar në Kosovë dhe mungesën e avancimit të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ai shtoi se Clinton, nga Tirana, pritet të përçojë mesazhe paqeje për popullin shqiptar të Kosovës dhe atij serb.
“Porosia e tij ka qenë: tani lufta u fitua, kosovarët duhet ta fitojmë paqen. Ky amanet politik mbetet një lloj obligimi që kemi në karashi popullit amerikan. Fjalimi i tij, do jetë i lidhur edhe me zhvillimet në Kosovë. Fjala e tij do jetë me një peshë të veçantë për Kosovën, në raport me pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan. Presidenti Clinton sot në adresimin e tij do ndikojë shumë në arritjen e kësaj paqeje. Do bëjë porosi të qartë për të gjitha palët. Më vjen keq, që Kosova mungon në këtë ceremoni të madhe. Presidenti Clinton është kumbar i lirisë së Kosovës.”, tha ai.
Në lidhje me sanksionet e BE-së, Haziri kritikoi ashpër kryeministrin e Kosvës, Albin Kurtin për qasjen që ndjek kundër ndërkombëtarëve. Sipas tij, pjesa që është tepër shqetësuese, lidhet me lëvizjet dhe hapat që ndërmerr Kurti në politikën e jashtme. Ai shtoi se këtë klimë të nxehtë politike Kurti nuk po e aplikon për mbrojtjen e sovranitetin e vendit, por për ruajtjen e votave dhe për konsum të brendshëm politik.
“Sanksionet do të kenë ndikim të madh në Kosovë. Kurti në politikën e tij bën një hapa para, dy mbrapa. Pritet të bëjë dy hapa prapa, se po luan rolin e të fortit për një qëllim: është konsum i brendshëm politik,. Për rritjen dhe ruajtjen e votave. Ky është problemi. Nuk ka të bëj me sovranitet, kushtetutshmëri, as integritet, por Kurti këtë ambient politik e ka nxehur për konsum të brendshëm politik, Nuk ka instikt bashkëpunimi. Ai i ka përjashtuar të gjitha palët nga dialogu. Të gjithë procesit janë vendosur në proceset e një njeriu dhe një partie”, theksoi ai.