Pronari i një mjeti lundrues në Ksamil është gjobitur rëndë nga policia e shtetit për shkak të shkeljes së rregullave të lundrimit në det dhe pasi vuri në rrezik jetën e disa pushuesve duke kaluar pranë tyre.
Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë pas marrjes së njoftimit për një mjet lundrues gomone që po lundronte në zonë të ndaluar, në Ksamil, kanë ushtruar menjëherë kontroll dhe më pas kanë bllokuar mjetin lundrues gomone në SPK Port Sarandë.
Në vijim të veprimeve procedurale, pronari i mjetit lundrues, shtetasi A. P., është ndëshkuar me 2 masa administrative, me vlerë totale 110 000 lekë të rinj, pasi ka lundruar në zonë të ndaluar dhe nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm, në bordin e mjetit lundrues.
Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha zonat bregdetare, ndaj apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të lundrojnë vetëm në zonat e përcaktuara për mjetet lundruese, që të mos cenojnë sigurinë e pushuesve.