Zbardhet identiteti i spikerit të BBC, i akuzuar për pagesën e adoleshentëve për imazhe me përmbajtje eksplicite.
Mediet e huaja bëjnë me dije se punonjësi i rrjetit BBC- së i akuzuar për pagimin e adoleshentit për fotografi seksuale është Huw Edwards, një nga imazhet kryesorë të rrjetit informativ. Ashtu sikurse Brian Williams i NBC-së që u pushua nga puna për zbukurimin e një historie të luftës në Irak, Edwards është një nga figurat më të larta në transmetim në korporatë dhe ishte spikeri i zgjedhur për t’i dhënë lajmin e fundit botës për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II në shtator. Ai është figura e katërt më e paguar në BBC.
Gruaja e Edwards, Vicky Flind, lëshoi një deklaratë në emër të spikerit duke thënë se Edwards po vuante “probleme të mëdha të shëndetit mendor” dhe se ishte shtruar në spital. “Sikurse edhe është e dokumentuar, ai është trajtuar për depresion të rëndë vitet e fundit”- tha Flind. “Ngjarjet e ditëve të fundit i kanë përkeqësuar shumë gjërat.”
Fundjavën e kaluar, tabloidi në Mbretërinë e Bashkuar The Sun dha lajmin se një “prezantues i njohur”, ende i paidentifikuar, ishte pezulluar nga puna ndërsa BBC hetonte akuzat se ai i kishte paguar një adoleshenti mbi 44,500 dollarë në shkëmbim të fotografive me përmbajtje seksuale që kur ky i fundit ishte 17 vjeç. Historinë, The Sun, shoqëronte një intervistë me nënën e adoleshentit (emri i së cilës ishte mbajtur gjithashtu i fshehtë), e cila pretendoi se paratë ishin përdorur për të financuar blerjen e narkotikëve të adoleshentit.
Në një kthesë befasuese, dy ditë pasi historia mori vëmendjen e gjerë mediatike, një avokat i adoleshentit lëshoi një deklaratë në të cilën kundërshtonte deklaratën e të ëmës së të riut dhe thoshte se “asgjë e papërshtatshme apo e paligjshme nuk ka ndodhur mes klientit tonë dhe personalitetit të BBC-së dhe akuzat e raportuara në gazetën The Sun janë të kota”. Po ashtu, përpara publikimit të deklaratës së adoleshentit, BBC tha se ata kishin pezulluar spikerin ndërsa hetonin çështjen. Sakaq, çështja ndodhej në duart e policisë Metropolitane. Megjithatë, ky prononcim nuk do të kishte më vlerë të mërkurën në mbrëmje, ndërsa BBC lëshoi një tjetër deklaratë ku tha se policia nuk ka në plan të hetojë dhe korporata do të rifillojë hetimin e saj.
“Ne kemi parë deklaratën e policisë që konfirmon se ata kanë përfunduar vlerësimin e tyre dhe nuk po ndërmarrin veprime të mëtejshme,” tha një zëdhënës. “Ne u jemi mirënjohës atyre që e përfunduan këtë punë me shpejtësi. Policia më parë na kishte kërkuar që të ndalonim hetimet tona për gjetjen e fakteve dhe tani do të vazhdojmë me atë punë, duke siguruar një proces të rregullt dhe një vlerësim të plotë të fakteve, ndërkohë që do të vazhdojmë të jemi të ndërgjegjshëm për detyrën tonë për t’u kujdesur për të gjithë të përfshirët.” Sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar për Mbrojtjen e Fëmijëve në 1978, është një krim të marrësh, të bësh, të shpërndash dhe të posedosh imazhe të pahijshme të personave nën 18 vjeç, dhe dënimi maksimal për veprën penale është 10 vjet.