Nga Afrim Kasolli/
Nëse kjo shoqëri ia lejon vetes të udhëhiqet edhe më tutje nga Besnik Bislimi e shënon fundin e saj moral dhe demokratik. Dhe këtë për mënyrën se si e ekzekutoi aktin e shëmtuar dje. Ky veprim dëshmon se si zv. kryeministri udhëhiqet nga frika. Sepse sikur ai ta kishte sulmuar një deputet të Kuvendit, por të kishte qëndruar në ulësen e tij, kjo do te ishte tjetër gjë. Përsëri si akt i dënueshëm, por jo sikurse ky dje.
Por mënyra tinëzare se si kërkon të struket pas veprimit, dëshmon se si ai drejtohet nga frika. Dhe këtë frikë kërkon ta kompensojë nëpërmjet dhunës. Prandaj, Besnik Bislimi e kërkon sigurinë e tij vetëm pas fuqisë së tjerëve, qofshin këta individë sikur se lideri, struktura institucionale, aparati i dhunshëm i shtetit etj etj.
I nxitur nga kjo paranojë dhe ankth personal në kërkim të fuqisë ai dje edhe dhunoi demokracinë në Kosovë . I uzurpoi kompetencat e Kryeparlamentarit.
Sepse për mbarëvajtjen e seancës askush tjetër nuk është kompetent pos atij. Nëse opozita nuk mbron qëndrimin që ai më kurrë nuk duhet të lejohet të futet në seanca të Kuvendit bëhet bashkëfajtore për këtë kapitullim politik të demokracisë .
Natyrisht, Kryeministri Kurti nuk e shkarkon, sepse atij i duhen njerëz që ndjehen të sigurt nën ombrellën e pushtetit të tij. Ai mund ta sakrifikojë ata vetëm nëse e ndjen që po i rrezikohet pushteti i tij.
Kurse, të gjithë ata prindër që pajtohen që ai të jetë ende edukues i fëmijëve të tyre, u ofrojnë këtyre të fundit një shembull se si frikën nuk duhet ta tejkalojnë nëpërmjet zhvillimit të personalitetit dhe pavarësisë së tyre morale e njerëzore, por duke e kërkuar shpëtimin nën pushtetin e tjerëve. Ky është mesazhi më i rrezikshëm sot që mund t’i transmetohet kësaj shoqërie. Sepse ai bie në kundërshtim më njërën nga liritë themelore të demokracisë, atë të lirisë nga frika.
Nuk është e rastësishme që ish-presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt këtë liri e shpalli si jetike. Sepse ai e pa me sytë e tij se si mungesa e saj u bë inspirim i mobilizimit kolektiv fashist. Prandaj, lufta në mbrojte të demokracisë kosovare sot duhet të fillojë kundër fashizmit psikologjik të Besnik Bislimit.