Djegiet e fundit të Kuranit kanë përkeqësuar sigurinë dhe kanë dëmtuar imazhin e Suedisë, tha sot ministri suedez i Drejtësisë. Është një situatë e rëndë që Suedia po portretizohet si vend islamofobik, ndërsa djegia e Kuranit jo vetëm që e bëri vendin më pak të sigurt, por edhe e dëmtoi imazhin e tij, tha ministri Gunnar Strommer në një konferencë të përbashkët shtypi me Charlotte von Essen, shefen e Shërbimit Suedez të Sigurisë.
Von Essen tha se kërcënimi terrorist në vend është rritur që nga marsi dhe do të mbetet i lartë. Paralalisht me këtë, ministri i Jashtëm Tobias Billstrom, pas një takimi të komitetit parlamentar mbi përkeqësimin e imazhit global të vendit për shkak të përdhosjes së Kuranit, tha se djegia e teksteve të shenjta në Suedi duhet të merret seriozisht. Megjithëse djegia e kopjeve të Kuranit është e ligjshme në Suedi, nuk është e përshtatshme, shtoi ai.
Billstrom tha se ka qenë në kontakt me ministrat e jashtëm të shumë vendeve që nga fillimi i akteve dhe se ata do të diskutojnë këtë çështje me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam. Përpara takimit me përfaqësues nga kompanitë suedeze nga bota islame, ministri i Tregtisë Johan Forssell tha se firmat suedeze që bëjnë biznes jashtë vendit kanë pësuar pas djegies së Kuranit.
Në muajt e fundit ka pasur akte të përsëritura të djegies së Kuranit, apo përpjekje për ta bërë këtë, nga figura apo grupe islamofobe, veçanërisht në vendet e Evropës veriore dhe ato nordike, duke shkaktuar zemërim si nga vendet muslimane, ashtu edhe nga mbarë bota.