Teksa situata e Kylian Mbappe vijon të shkaktojë tension te PSG, kampionët e Francës siguruan sulmuesin Gonçalo Ramos nga Benfica për një operacion që shkon në 80 mln euro (65+15 të tjera në formë bonusesh).

Për shkak të probleme me FPF (fair-play financiar), dy klubet ranë dakord për huazimin e Ramos në Ligue 1, me PSG-në që do të ketë mundësinë e blerjes së kartonit të tij në verën e vitit të ardhshëm. “Ne jemi shumë të lumtur të mirëpresim Gonçalo Ramos, sulmuesin e ri të jashtëzakonshëm të familjes së PSG-së. Gonçalo është një futbollist fantastik ndërkombëtar.

Ai është i ri, i uritur dhe do të luftojë për ekipin. Këta janë tipat e lojtarëve që duam për të ardhmen tonë”, deklaroi presidenti Nasser Al-Khelaifi, duke thumbuar në të njëjtën kohë edhe Kylian Mbappe.

Ramos ishte një ndër surprizat e Portugalisë në Botërorin Katar 2022. Edhe pse luajti pak, ai shkëlqeu me tre gola në suksesin 6-1 ndaj Zvicrës, sfidë e raundit të 1/8-ve.