Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, mendon se një udhërrëfyes se si Kosova do të anëtarësohej në NATO do të ishte produktive për paqen dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Ramadani ka shtuar se në këtë drejtim, bazuar edhe në politikën e dyerve të hapura të NATO-s, një ftesë për Kosovën për të marrë pjesë në Planin e Veprimit për Anëtarësim do të ishte një moment historik dhe adekuat.
“Është e qartë se rruga nuk mund të jetë aq e shkurtër sa do të dëshironim, por e gjithë klima në rajon do të shkonte drejt një mjedisi më të mirë sigurie. Mund të jetë një rrugë për stabilizimin e rajonit, duke i mbyllur njëkohësisht derën ndikimit rus në vendimmarrjen strategjike të Serbisë, e cila mbetet i vetmi vend jo-mbështetës i NATO-s në rajon”, thuhet në një shkrim të cilën e ka publikuar Ramadani në ueb-faqen e tij. Ai ka shtuar se Kosova duke qenë një partner i besueshëm dhe aspirante për anëtarësim, mund të marrë pjesë në operacionet ushtarake të NATO-s, duke përfituar nga ekspertiza e NATO-s në fusha të tilla si ndërtimi i kapaciteteve mbrojtëse, trajnimi dhe edukimi i mbrojtjes.
“Aftësitë e veçanta të Forcës së Sigurisë së Kosovës – janë njohura si plotësisht operacionale që nga deklarata e Këshillit të Atlantikut të Veriut në korrik 2013”, shtoi Ramadani. Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për themelimin e grupit punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) është një aleancë ushtarake ndërqeveritare, e përbërë nga 31 shtete. E themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, organizata zbatoi Traktatin e Atlantikut të Veriut, nënshkruar në Uashington, më 4 prill 1949. NATO është një sistem sigurie kolektive: shtetet e saj anëtare të pavarura bien dakord të mbrojnë njëri-tjetrin kundër sulmeve nga palët e treta.