Policia italiane ka arrestuar shqiptare dhe burrin e saj italian pasi iu gjetën një arsenal armësh në banesë. Mësohet se kontrolli u krye nga departamenti Antikrim i Romës, të cilët kanë kryer një kontroll fizik në shtëpinë e një 64-vjeçari italian në zonën e Savionës, ku kanë gjetur armë të llojeve të ndryshme dhe municione.
Në shtëpi, ndodhej dhe bashkëshortja e tij 53-vjeçare me origjinë nga Shqipëria, e cila ishte në dijeni të armatimeve në shtëpi.
Pas kryerjes së kontrollit fizik, efektivët gjetën në shtëpinë e italianit një arsenal armësh ushtarake ku përfshiheshin: TNT, siguresa për granata dore, 29 granata, detonatorë elektrikë dhe siguresa, një Tokarev TT-33 cal.7.62, një pistoletë e prodhimit sovjetik, e konsideruar si një nga armët më të fuqishme në botë e pajisur me 1500 fishekë dhe tre karikatorë të vetëm, por edhe armë të ftohta, hanxharë, thika ushtarake të prodhimit sovjetik dhe një llastiqe profesionale.
Në momentin që policia ka nisur kontrollin, italiani ka marrë një granatë dore për të sulmuar efektivët, por fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Çifti u arrestua dhe u dërguan në paraburgim, ndërkohë që 64-vjeçari akuzohet dhe për tentativë vrasje.