Një atlete bjelloruse, e cila kërkoi ndihmë ndërkombëtare për ta shmangur detyrimin për t’u kthyer në shtëpi para kohe nga Lojërat Olimpike të Tokios, e ka fituar të drejtën ta përfaqësojë Poloninë në turnetë ndërkombëtarë. Krystsina Tsimanouskaya kishte dezertuar në Poloni bashkë me bashkëshortin e vet në vitin 2021. Fondacioni për Solidaritet në Sport i Bjellorusisë tha më 7 gusht se Federata Botërore e Atletikës e ka pranuar pjesëmarrjen e Krystsina Tsimanouskaya – e njohur edhe si Kryscina Cimanouska – në Kampionatin Botëror të Atletikës, që do të mbahet në Budapest këtë muaj.

Vrapuesja e shpejtë Tsimanouskaya e mori nënshtetësinë polake në gusht të vitit 2022.
Në fillim të gushtit 2021, Tsimanouskaya shkoi refugjate në Ambasadën e Polonisë në Tokio, pasi zyrtarët e ekipit bjellorus tentuan ta detyronin atë të hipte në aeroplan për t’u kthyer në Minsk, pasi i kishte kritikuar ata. Dy ditë më vonë, ajo e mori një aeroplan për Evropë, duke mbërritur në Varshavë përmes një ndalese në Vjenë.

Polonia u dha asaj dhe burrit të saj, i cili iku në Poloni përmes Ukrainës, viza humanitare.
Gjendja e vështirë e atletes 26-vjeçare u bë lajm i madh nga Lojërave Olimpike Verore të Tokios dhe e ktheu vëmendjen ndërkombëtare kah shtypja në Bjellorusi, një vit pasi kishin shpërthyer protestat kur lideri Alyaksandr Lukashenka e shpalli fitoren në zgjedhjet e kontestuara presidenciale në gusht 2020. Disa protestues janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë arrestuar gjatë protestave masive që kërkonin dorëheqjen e Lukashenkas. Ka pasur edhe raportime të besueshme për torturim gjatë një lufte të gjerë të forcave të sigurisë ndaj protestuesve.

Në vitin 2021, djali i Lukashenkas, Viktar, e mori drejtimin e Komitetit Kombëtar Olimpik të Bjellorusisë nga babai i tij, një vendim të cilin nuk e njohu Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON).
Po ashtu, në gusht 2021, një trajner i klubit të hendbollit Vitsyaz në Minsk, Kanstantsin Yakauleu, iku në Ukrainë pak javë pasi i kreu 15 ditë burgim, për shkak se kishte marrë pjesë në një protestë kundër Qeverisë. Atletja bjelloruse Yana Maksimava dhe burri i saj Andrey Krauchanka, fitues i medaljes olimpike, njoftuan në atë kohë se kishin vendosur të qëndrojnë në Gjermani me fëmijën e tyre, për shkak të shtypjes në Bjellorusi.