Tirana dhe Besiktas luajnë sot në 20:00 në “Air Albania”, me duelin që vlen për ndeshjen e kthimit në turin e dytë të Conference League. Sfida e parë në Turqi përfundoi 3-1 për vendasit, me bardheblutë që kanë një detyrë të vështirë gjatë 90 minutave të sotme.

Klubi nënkampion i Shqipërisë ka njoftuar se është hapur edhe kati i dytë për tifozët, kjo pasi deri në këto momente janë shitur afërsisht 10 mijë bileta për këtë duel. Me kapacitetin e stadiumit që mban deri në 22 mijë tifozët, duket se Tirana sot do ketë një mbështetje të madhe.

Veç mbështetjes në tribuna, Tirana pritet të arkëtojë një shumë të konsiderueshme nga biletat e shitura, teksa 300 mijë euro i ka fituar nga shitja e të drejtave televizive, pasi përballë është një nga skuadrat kryesore të Turqisë.