Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Peter Stano, në konferencë për media të enjten, ka thënë se BE-ja mirëpret zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në objektet e katër komunave në veri të Kosovës. Por, Stano ka thënë se duhen marrë hapa tjerë për ta shtensionuar situatën në veri të Kosovës.

“Janë hapa shumë të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por duhen hapa tjerë. Si me çdo gjë në dialog, afatet kohore nuk janë në dorën tonë, ato varen nga aftësitë e palëve për të ofruar në kërkesat e nevojshme, kriteret apo zotimet. Për ta zgjidhur krizën aktuale, kemi thënë shumë herë, duhen të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat në veri, e atë sa më shpejt të jetë e mundur. Zgjedhjet të organizohen në mënyrë të plotë dhe gjithpërfshirëse, që nënkupton pjesëmarrjen e plotë dhe të pa kusht të serbëve të Kosovës”, ka thënë Stano.

Ai ka thënë se është me rëndësi që të ndërmerren hapat për shtensionim dhe që palët të kthehen në dialog normal, e të përqendrohen te Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i zbatimit. Stano ka thënë se BE-ja dhe shtetet anëtare kanë bërë të qarta kërkesat për shtensionim, qysh në qershor. Ai ka thënë se “Kosovës i ishte kërkuar të mos sillej në mënyrë përshkallëzuese”. Stano ka thënë se ka një urgjencë që të shtensionohet situata dhe palët të kthehen në dialog. Ai ka thënë se kjo është në përfitim të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi, e jo për të kënaqur Brukselin apo BE-në.

“Palët duhet të fillojnë të punojnë si duhet në normalizim, të ecin para në agjendën evropiane, pasi nëse nuk ka progres në dialog, s’ka progres edhe në rrugën evropiane. E ka cekur BE-ja këtë në disa raste”, tha Stano.