Në prag të sezonit të ri dhe me merkaton drejt fundit, Milan po studion ende tregun e transferimeve, pasi Pioli ka shfaqur nevojën për të pasuruar repartin e sulmit.
“Kuqezinjtë” i janë rikthyer përsëri pistës Armando Broja, ndërsa aksi Londër-Milano është ndezur përsëri.
Trajneri Stefano Pioli kërkon një zëvendësues ideal për Giroud, një ish-lojtar i Chelsea, ndërsa së fundmi, mediet italianë kanë bërë me dije se për shërbimet e sulmuesit shqiptar interesohet edhe Roma e Jose Mourinho-s.
Milan po insiston për Armando Brojën, me italianët që kanë hedhur idenë e transferimit në formë huazimi me të drejtë blerjeje, por 21-vjeçari është një nga emrat më të dashur në Londër dhe kjo është pengesa kryesore për “Djallin”.
Marrëdhënia midis klubeve është shumë e mirë dhe kjo u vërtetua edhe në këtë merkato, me Milan që transferoi në Itali dyshen Loftus-Cheek dhe Pulisic.
Milan nuk bën pas, pavarësisht faktit se Broja nuk luan prej dhjetorit të kaluar, sepse klubi beson te ai.
Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë dhe orët e fundit të merkatos do të jenë vendimtare, por momentalisht “topi” mbetet në Londër, në zyrat e Chelsea-t, nëse këta të fundit do të pranojnë të heqin dorë nga shqiptari apo do të vendosin t’i besojnë përsëri në këtë sezon të ri.