Kur kanë kaluar gati 3 muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, Komisioni Rregullator pranë KQZ-së certifikoi këtë të hënë rezultatin përfundimtarë për kryetarët e bashkive, ku partia socialiste ka triumfuar në pjesën më të madhe të vendit. Shqipëria u ngjyros kryesisht rozë në shkallë vendi me 53 bashki të fituara nga socialistët kundrejt vetëm 7 bashkive të marra nga opozita.
Në Kavajë, Has, Fushë Arrëz, Pukë, Mirditë, Himarë dhe Memaliaj koalicioni Berisha Meta pati më shumë vota se rivalët zgjedhorë, por bashkitë e mëdha të konsideruara bastione të djathta si Shkodrën dhe Kamzën, i humbën.
Përpjekjet e opozitës për të ankimuar rezultatin me 6 padi nuk patën efekt për ndryshimin e rezultatit, as në Rrogozhinë ku u përsëritën zgjedhjet. Pakënaqësitë për procesin zgjedhor i shprehën edhe në mbledhjen e fundit në lidhje me rezultatin e 14 majit.
“Gara ishte e pabarabartë. Vota ime për miratimin e rezultatit është kundër”- tha avokati
Me shumicën pro miratimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 14 majit, koalicioni Bashkë fitojmë duket se shpresën e vetme e ka te Bashkia e Kukësit, ku do të rizhvillohet procesi zgjedhor.
Edhe pse u miratua rezultati për Kukësin, ku u rizgjodh Safet Gjici më 14 maj, pas dorëheqjes së tij prej skandalit intim në zyrë, zgjedhjet do të përsëriten, por presidenti ende nuk ka zbuluar datë.
“Ky është miratimi i rezultatit më 14 maj. Se çfarë ka ndodhur më pas, nuk merret KQZ, pritet dekreti nga Presidenti”– tha Ilirjana Nano- kryetare, komisioni rregullator.
Komisioni Rregullator certifikoi edhe fitoren e Fred Bejlerit, pavarësisht se ndodhet në burg. Nëse do të ketë zgjedhje të reja në këtë zonë apo jo, vendimin e ka në dorë Gjykata. Deri atëherë Bashkia e Himarës do të vazhdojë të drejtohet nga Jorgo Goro.