Drejtori i Arkivave, Ardit Bido komentoi zhvillimet lidhur me çështjen e Fredi Belerit. Në një intervistë për ABC News, Bido theksoi se Greqia ka ndërhyrë brutalisht në punët e brendshme të Shqipërisë dhe në çështjet e drejtësisë duke kërcënuar me lirimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Sipas Bidos, me arrestimin e Fredi Belerit, Greqisë i është prishur synimi që ka në tokën shqiptare. Sipas tij, vendi vqinj, me veprimet e viteve të fundit, ka tentuar që të zgjerojë influencën në jugun e Shqipërisë duke synuar vendosjen e tabelave dy gjuhëshe nga Llogaraja dhe deri në Konispol.

“Është një ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Shqipërisë dhe në çështjet e drejtësisë që është një projekt euroatlantik. Por Greqisë i është prishur një pjesë e skemës nga kjo drejtësia amerikano-evropiane. Këtu Greqia po bën ndezjen e fitilave për çfarë do të tentojë të bëjë vitin tjetër nëse në sensus do të dalin 20 për qind grekë në bashkinë e Himarës dhe Konispolit, që do të jetë betejë e radhës e Greqisë në integrimin e Shqipërisë në BE që e gjithë zona e Sarandës dhe Delvinës të bëhet dygjuhëse me ndihmën jo vetëm të instrumentave të Greqisë në Shqipëri por edhe shumë apatikëve në politikën qendrore të Tiranës që janë të gatshëm të shesin gjithçka.“, u shpreh Bido. Bido thotë se Beleri ka pasur një mbështetje të madhe nga Greqia dhe se shteti grek po shfrytëzon influencën që ka në politikën shqiptare për të arritur synimet e saj.

“Greqia ka tentuar në këto vite që të krijojë një projekt të caktuar politik që do të përfundonte me dygjuhësinë e gjithë zonës së jugut të Shqipërisë dhe rrjedhimisht duke tentuar që të zgjerojë si një ‘kancer’ në trupin e shtetit shqiptar influencën e vet, duke prodhuar minoritete të paqena.

Në 4-5 vitet e fundit, ajo që ka ndodhur në të gjitha kishat e bashkisë së Himarës, janë bërë një gjuhëshe greke, përfshirë edhe në fshatra vetëm shqipfolëse. Ka filluar një projekt ku Fredi Beleri të mundet të japë shtetësinë shqiptare, të shpërndajë bursa të shumta në universitetet greke, të ndihmojë njerëzit me letra greke dhe në spitalin e Janinës. Është një projekt politik, sepse vetëm shteti mund të japë shtetësi dhe të ndihmojë në universitete greke. Është krijuar që Beleri të ishte kryetar bashkie. Beleri si kryetar nuk u zgjodh vetëm prej këtyre gjërave por edhe prej influencës që ka Greqia në skenën politike në Tiranë. Është sensusi që na vjen në dhjetor, që nëse mbi 20 për qind të banorëve të himarës do të deklaroheshin grek, atëherë sipas legjislacionit tonë të brendshëm do t’i lindej e drejta përfaqësuesve të minoritetit që të kërkojë tabela dygjuhëshe nga Qafë bota në Llogara, nga Muzina në Sarandë”, tha mes të tjerash ai.