Real Madrid ka marrë një goditje të rëndë mëngjesin e sotëm. Thibaut Courtois, siç ka bërë të ditur vetë klubi në raportin mjekësor, do të mungojë për një kohë të gjatë, pasi gjatë seancës së sotme këputi ligamentin e kryqëzuar të përparmë në gjurin e majtë. Portieri do t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim dhe do të qëndrojë jashtë për të paktën nëntë muaj. Praktikisht, sezoni për belgun mbyllet ende pa nisur.
Reali i Madridit aktualisht ka vetëm një portier tjetër në ekipin e tij të parë, ukrainasin Lunin, i cili ka refuzuar të largohet nga klubi këtë verë. Poshtë tij në hierarki janë vetëm portierët e Castillas, Lucas Cañizares dhe Mario de Luis dhe asnjëri prej tyre nuk ka debutuar me ekipin e parë.
Klubi “merengues” do të duhet të vendosë tani nëse, duke pasur parasysh dëmtimin e rëndë të belgut, nëse do të kthehet në merkato për të gjetur një portier titullar, duke qenë se rikthimi i tij nuk do të ndodhë të paktën deri në muajin maj të vitit të ardhshëm.