Nuk ka asnjë tendencë rënie në tregun e qirave për banesat. Studentët duhet ta harrojnë një shtëpi, jo thjesht afër fakulteteve, por as brenda unazës së madhe. Në tetor Vangjel Nunka nga Korça vjen për studime në mjekësi në Tiranë. Muajin e nxehtë e kaloi duke kërkuar shtëpi me qira. Një të tillë e mori vetëm në periferi, në Shkozë me një vlerë aspak ekonomike. Do të paguaj 40 mijë lekë në muaj qira.
“Unë e kam gjetur në zonën e Shkozës, te uzina e traktorëve. E kam 400 mijë lekë. Është shumë shtrenjta, por në krahasim me qytetin ku ishin qirat me 500 €, nga 550-600€ është më e mira që mund të bënim.’- tha Vangjel Nunka, maturant. Në pamundësi për të përballuar kostot e jetës në Tiranë. Vangjeli është i detyruar të ndajë qiranë e kësaj shtëpie me një tjetër shok
“Çmimet kanë fluturuar dhe ishte pak e vështirë gjetja e saj. Unë e kam ndarë me një shokun tim qiranë.”- u shpreh Nunka. Orgest Beti, agjent imobiliar thotë se fluksi i lartë për shtëpi me qira nga studentët dhe ndërtimet aktuale ende të papërfunduara kanë shtrenjtuar qiratë. Sipas tregut, në metropol nuk ka shtëpi nën 35 mijë lekë në muaj.
“Për studentët këtë vit do të jetë më e vështirë dhe kostot do të jenë më të larta , por themi nën 350 € nuk ka çmime. Fillon nga kjo vlerë deri në 500,600 dhe ka apartamente që shkojnë 1000 ose 1500 euro. Vitet e shkuara ka qenë e vështirë që dhe ata të kuptonin këtë dimension të ri të ndryshimeve. Tashmë një pjesë e madhe prej tyre janë mësuar dhe kuptojnë dhe dimensionin që ka marr zhvillimi i vendit dhe me pak vështirësi, por dhe ata e kanë pranuar si fakt.’- tha Orges Beti, agjent imobiliar. Por nga ana tjetër studentët e huaj nuk shfaqin ankesa për çmimet e qirave. Madje shumë prej tyre vendosin të qëndrojnë kryesisht pranë qendrës së Tiranës
“Ata vijnë me ide të qarta. Kuptohet shtëpitë që janë këtu janë me çmime të arsyeshme.”- u shpreh Orgest Beti. Pavarësisht se viti akademik për studentët nis në 2 tetor, shumë studentë i kanë parapaguar muajt e verës pa jetuar aty. Kjo me qellim për të mos humbur shtëpinë me qira, kurse studentët e vitit të parë që vijnë nga rrethet janë akoma në kërkim të një baze.