Një prej deputetëve demokratë, Kreshnik Çollaku, ka folur ashpër për kandidimin nga Berisha-Metaj të Fredi Belerit në Himarë. Sipas tij, kjo është gropë e rëndë morale për opozitën.

“Kemi kundërshtuar në mënyrë të qartë kandidaturën e Belerit nën hijen e opozitës. E kam konsideruar gropë të thellë morale kandidimin e Belerit nga një pjesë e PD që quhet rëndomtë si Rithemelimi.

Beleri edhe në muajt e para të kandidimit bënte fushatë me flamurin e Vorio Epirit…një organizatë që pretendon territoret shqiptare që nga Vlora e Himara. Është hipokrite që të pranosh një njeri që bën fushatë me flamurin e Vorio Epirit dhe të flasësh nga mëngjesi në darkë për Kosovën.

Himarën ja dorëzon një ushtari të Vorio Epirit; kjo më duket humnerë e madhe morale që miqtë e Rithemelimit kanë detyrim t’u përgjigjen demokratëve. Nuk duhej të ishte pranuar si kandidat edhe nga institucione të tjera të Shqipërisë”, tha Çollaku në një intervistë televizive.