Pas emërimit të stafit të ri teknik me në krye të mirënjohurin italian Luigi Di Biagio, Dinamo vijon punën intensive parapërgatitore në Itali. Futbollistët e skuadrës kryeqytetase kanë marrë një ngarkesë të konsiderueshme fizike në seancat e javës së kaluar, teksa pasi i ka lodhur në stërvitje, trajneri Di Biagio ka vendosur t’u ofrojë një ditë ndryshe.
Ai bashkë me futbollistët dhe të gjithë stafin e skuadrës, kanë drekuar në një nga restorantet pranë fushës ku po stërvitet skuadra blu, duke e parë këtë si një mënyrë për të krijuar më shumë afrimitet me njëri-tjetrin. Atmosfera në kampin blu duket mjaft e mirë dhe stafi teknik po shfrytëzon edhe shtyrjen e kampionatit, në mënyrë që të sjellë skuadrën në formën optimale më 26 gusht, kur edhe pritet të startojë sezoni i ri.