LZbardhen te tjera detaje nga dosja e SPAK për megaoperacionin “Metamorfoza”, në sajë të të cilit u lëshuan 15 urdhër arreste. Mes të arrestuarve për operacionin Metamorfoza është edhe Oltion Bistri, polic me një karrierë të gjatë, që në vitin 2020 ishte shef i komisariatit nr.2 në Tiranë. Pikërisht në zonën e tij, biznesmeni Pëllumb Gjoka kishte një kazino, që nuk lejohej nga ligji dhe për të cilën, sipas përgjimeve në dosjen e SPAK ishte ankuar vetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi.
Por Oltion Bistri si shef i komisariatit, refuzonte ta mbyllte kazinonë, “jo për 1500 eurot” që i përmend Pëllumb Gjokës, por për hir të fjalës që kishte dhënë. Në përgjimet e SPAK del disa herë emri “Rebani”, me të cilin Bistri thotë se komunikon vazhdimisht për çështjen e kazinosë, madje edhe për një “Ardi”, tjetër polic që përmendet në komunikimet mes tij dhe Pëllumb Gjokës.
Sipas asaj që ish shefi i Komisariatit nr.2 Oltion Bistri i thotë pronarit të kazinosë, Pëllumb Gjokës, “ka frikë rebaniu se i paskan thënë për këtë rastin dhe është tremb”, apo “ik fli tani apo ke puntorë brenda? Kush është klienti më i fortë? I ke marrë ndonjë tajvanit? Ty të duhen me lek, jo ata që s’i lënë andej. Ata që si lënë janë të mbaruar. Prit një herë të mbarojë aksioni. Unë e bëra për ty këtë se smë ngrenë ato 1500 euro që marr. Se veç për ty e lashë. është muhabet vk. Edhe për anë morale më tepër. Se vetëm stres. Vetëm këto sa bëjnë ti lutem rebos aman. Ai lekët do marri dhe kot i merr. Se di pse ka frikë” i shkruan Bistri Pëllumb Gjokës.
Në datën 20 shkurt të vitit 2020, në një bisedë të përgjuar Bistri i shkruan Pëllumb Gjokës: “tani do fillojë për pak, ik futu gjëkundi se s’i dihet, mos rri në qarkullim dhe fike telefonin. po kot mos si dihet. se di. akoma sna i kanë sjellë emrat dhe vendet. Dr tha do e heq pikën nga lista. jo e din rebua vete ska nevojë”
Në atë kohë Rebani Jaupi ishte Drejtor i Policisë së Tiranës dhe informacionet që vinin për Pëllumb Gjokën kanë të bëjnë me një operacion të quajtur “Fati i lojrave”. Duket se Bistri sugjeron se Drejtori i policisë do ta heqë pikën e Pëllumb Gjokës nga lista e kontrolleve për lojerat e paligjshme të fatit.