Duhet të ishte një ndeshje futbolli, por sfida mes AEK-ut të Athinës dhe Dinamos së Zagrebit për Champions League u shty. Huliganët kroatë pushtuan Athinën, duke e kthyer mbrëmjen e së hënës në një natë terrori, ku mbeti i vdekur një 29-vjeçar, tifoz i AEK.
Me UEFA-n dhe policinë që kishin marrë vendim për mos pasur tifozë kundërshtar si në ndeshjen e parë dhe atë të kthimit, ultrasit e Dinamos u futën në Greqi pa shumë probleme.
Është interesante se të gjithë kishin të njëjtën histori, pak a shumë përsëritën të njëjtat fjali dhe policia greke i besoi dhe bëri një gabim të madh që në fillim. Kroatët u paraqitën në pikat kufitare si turistë që po udhëtojnë në Sivota për pushime dhe më pas arritën të shkonin në Athinë.
Që në momentin e parë kur autokolona kroate kaloi në vend, u njoftua policia greke. Për shkak të pranisë së tyre, policia u dha edhe targat. Pas kësaj ata mbërritën në rrugën Egnatia, duke përshkuar Greqinë perëndimore dhe u gjendën në Kiata, ku për praninë e tyre u njoftuan edhe oficerët e policisë.
Që andej, me shkopinj dhe thika në duar, hipën në trenat në të cilët kishte shumë njerëz. Ata ndaluan pesë herë para se të zbrisnin më në fund në stacionin Perissos. Më pas policia ka marrë urdhër për “përgjim diskrete”, por kjo nuk ka mjaftuar pasi huliganët kanë arritur të nisin një përplasje që përfundoi me vrasjen e 29-vjeçarit Michalis Katsouris.
Mediet greke raportojnë se pas disa lirimeve, numri total i të arrestuarve është aktualisht 104. Deri më tani janë liruar gjithsej 13 persona, ndërsa për të lënduarit, njëri prej pjesëmarrësve në incident është ende në gjendje kritike për jetën, ndërsa në spital janë tre grekë dhe një shtetas kroat.
ERT njoftoi se policia greke ka arrestuar pesë huliganë të tjerë kroatë gjatë natës së djeshme. Ata tentuan të hipnin në një anije për në Itali, por u kapën dhe u dërguan në polici, ku u morën në pyetje dhe më pas u transferuan në Athinë.