Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani komentoi për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha kërkesën për dorëheqeje nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Metani tha se personat që kanë ankesa apo akuza ndaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ose Artur Metanit,të shkojnë në Prokurori.
Ai theksoi se askush nuk do të lejohet të intimidojë, të ndikojë, apo të bëjë presion në punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Anila Hoxha: Zoti Berisha kërkoi dorëheqjen tuaj një ditë më parë. A keni një koment?
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani: Unë nuk kam dëshirë të merrem me komente politike, por do respektoj pyetjen tuaj. Për rastin konkret, por edhe kujdo tjerër, që ka ankesa apo akuza ndaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ose Artur Metanit, i them që të shkojë në prokurori. Se dyti, cdokush që kërkon të intimidojë ose të ndikojë, apo të bëjë presion në punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ta harrojë! Ta harrojë! Me mirëkuptimin tuaj, një informacion të plotë për intervistën do ju dërgoj në një moment të dytë.
Një ditë më parë, gjatë një deklarate Berisha hodhi akuza ndaj Metanit, i cili sipas tij është zhytur në aferën e inceneratorëve dhe se po ushtrohet presion i madh ndaj grupit të hetimit që po merret me çështjen.