Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se vendet perëndimore duhet të mbajnë premtimet e tyre për riaktivizimin e marrëveshjes me Rusinë për të lejuar eksportet e grurit ukrainas, të ndërmjetësuara nga Ankaraja dhe OKB-ja.
“Shpresoj që të gjejmë një bazë të përbashkët për këtë çështje. Nuk ka dyshim se zgjidhja e këtij problemi pa ndonjë bllokim të mëtejshëm varet nga vendet perëndimore të cilat duhet të mbajnë premtimet e tyre”, tha Recep Tayyip Erdogan, President i Turqisë.
Kjo deklaratë i referohet telefonatës më të fundit të liderit turk me presidentin rus Vladimir Putin, i cili refuzoi të zgjasë marrëveshjen. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Ankaraja dhe Kombet e Bashkuara në korrik 2022, përfundoi muajin e kaluar pasi Moska vendosi të mos e rinovojë atë.
Pas përfundimit të marrëveshjes së rëndësishme, Putin ka këmbëngulur se do të rikthehet në marrëveshje vetëm nëse ndërkombëtarët do të tërheqin sanksionet e vendosura vendit të tij si pasojë e luftës në Ukrainë. Që nga dita e mbylljes së marrëveshjes, portet ukrainase të furnizuara me grurë janë goditur vazhdimisht me raketa. Dëmet mbeten të rënda, por ende nuk ka një raport përfundimtar të sasisë që është shkatërruar.