Rudy Giuliani ka udhëtuar disa herë këto muajt e fundit drejt rezidencës së Donald Trumpit në Mar-a-Lago me një apel të dëshpëruar për ish-presidentin amerikan që t`i paguajë faturat e proceseve gjyqësore.

Duke e takuar personalisht, tha një burim për CNN, Giuliani dhe avokati i tij Robert Costello kishin bindjen se kështu mund t`ia shpjegonin më mirë përse ka kaq shumë nevojë për ndihmë në këto momente ish avokati dhe aleati i hershëm i tij. I përfshirë në disa çështje gjyqësore të Trumpit, Giuliani duket nuk ka para për të mbuluar kostot ligjore shtesë ligjore që ka sjellë padia për shpifje e ngritur nga kompania e teknologjisë së votimit Smartmatic.

Avokati i tij foli për vështirësi të theksuara financiare në gjyqin që u zhvillua të mërkurën në Nju Jorku. Por vetë Trumpi ndërkohë, ka telashe të tjera. Prokurorja e Xhorxhias, Fani Willis, bëri thirrje që procesi gjyqësor kundër tij dhe 18 të akuzuarve të tjerë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 të nisë më 4 mars, çka do ta ngarkonte më tej kalendarin e Trumpit për vitin 2024, ndërsa ai kërkon emërimin e republikanëve për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Data e gjykimit kundër republikanit do të caktohet nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton, Scott McAfee, i cili do të dëgjojë çështjen në Atlanta, kryeqytetin e shtetit jugor të Xhorxhias. Avokatët e Trump me siguri do të kërkojnë një datë shumë më të vonë, ndoshta pas zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor.

Por nëse McAfee pranon kërkesën e prokurores, gjyqi do të fillojë një ditë përpara asaj që në botën politike të Shteteve të Bashkuara njihet si “super e marta”, kur 14 shtete mbajnë zgjedhjet për emërimin e kandidatëve presidencial.