Partizani ka gati çdo detaj për ndeshjen e nesërme ndaj Astanës. Dje në mbrëmje, në orën 20:00, skuadra e Zekiçit ka kryer seancën e fundit stërvitore, ku janë kuruar detajet e fundit para sfidës së sotme. Pavarësisht se i pret një betejë e madhe dhe tensioni i emocioneve rritet gradualisht, te të kuqtë duket se e kanë menaxhuar shumë mirë këtë aspekt, pasi skuadra e stafi ishin mjaft të çlirët dhe entuziastë.
Ndërkohë, Zekiç, si gjithnjë, përpiqet të heqë trysninë te lojtarët dhe e bën këtë me fjalë, por edhe me veprime. Trajneri i të kuqve, përveç drejtimit të stërvitjes, u fut edhe në kuadrat me një pjesë të lojtarëve dhe u pa mjaft i angazhuar. Madje, në një moment kur një prej djemve nuk i pasoi, trajneri nuk ngurroi t’i kërkonte llogari.
DËMTIMET – Pavarësisht entuziazmit, situata te kampionët nuk ka qenë më e mira e mundshme. Përveç lajmeve të mira të rikthimit të Atanaskoskit dhe gatishmërisë së Eros Grezdës, Kristian Mba ka qenë në garë me kohën për t’u rikuperuar në kohë. Dje në pjesën e parë të seancës ai është parë të trajnohet normalisht me grupin, por shanset që ta nisë nga minuta e parë duken të vogla. Gjithsesi, nigeriani do të tentojë deri në fund. Me siguri Zekiç do t’i rezervojë minuta si zëvendësues.
Nga ana tjetër, problem tjetër i rëndësishëm mësohet të jetë Adnard Mehmeti. Gazeta mëson se mesfushori ka pësuar një dëmtim muskulor gjatë seancës së parafundit dhe nuk pritet të luajë sonte. Dje ai nuk ka qenë pjesë e stërvitjes. Gjithsesi, fatmirësisht dëmtimi nuk është i një shkalle të lartë dhe nuk pritet që mesfushori të qëndrojë gjatë jashtë fushave.
FORMACIONI – Partizani do të ndryshojë në krahasim me ndeshjen e parë, për shkak të dëmtimeve, por edhe një rikthimi. Kështu, pritet që Atanaskoski të ulë në stol Zekollin, teksa në mesfushë, me mungesën e Mehmetit, pritet treshja Murataj-Maget-Rrapaj. Një opsion në qendër është Bilali, që mund të këmbehet me Muratajn ose Magetin. Sulmi nuk pritet të ndryshojë me ndeshjen e parë. Sakaq, tek Astana nuk priten ndryshime të mëdha. E vetmja e re mund të jetë aktivimi i Tomasovit, të cilit iu anuluan dy gola në Kazakistan.