Në Partinë Socialiste pritet që në shtator të kryhet një reformim i thellë, i cili sapo nisi në mbledhjen e fundit të partisë.
Analisti Edvin Kulluri i ftuar në “Newsline” u shpreh se kjo që po ndodh në PS nuk ka një shpjegim logjik, pasi sipas tij ekipi që fiton nuk ndërrohet. Sipas Kullurit dy janë mundësitë se pse po ndodh kjo furtunë në PS, e para sipas tij është një përballje e mundshme me SPAK dhe e dyta, përgatitje për zgjedhje të parakohshme.
“Hera e dytë në 10 vitet e fundit që njerëzit që fitojnë zgjedhjet, largohen. Hera e parë ka ndodhur në 2017, kur fituesit e PD në bashki u larguan. Nuk ka një logjikë politike. Njerëzit largohen kur humbasin. Ekipi që fiton nuk ndërrohet. Ka diçka që nuk shkon, që nuk është e dukshme për ne. Ne nuk e dimë ç’po ndodh ne PS. Kemi hamendësimet tona dhe besoj se Rama po përgatitet të përballet me opozitën e re në vend, që është SPAK.
Nisja e hetimeve për Gjiknurin, mund të jetë një shkak. Ka ndodhur disa here që para se SPAK të nisë hetimet për dikë, janë shkarkuar nga qeveria. Dyshimi i dytë është që të kemi zgjedhje të parakohshme. Por as kjo nuk qëndron, sepse nuk kemi krizë në parlament. Efektet që po jep reforma në drejtësi, krijon një kosto për PS dhe Ramën. Nuk mund të bëjmë sikur nuk po ndodh gjë dhe i pari që e ndjen është kryeministri, i cili edhe nëse vet del i larë ka një përgjegjësi politike të larta.
Pritet të dalin çështje të tjera të nxehta, përveç inceneratorëve. Z. Rama nën këtë presion është i detyruar të rilegjitimojë vetveten” u shpreh ai. Sa i përket mundësisë për lëvizje të tjera të rëndësishme në qeveri, Kulluri tha se kjo mund të ndodhë nëse nuk do të ketë zgjedhje. Analisti shtoi se Rama po bën llogaritë për dalë i “pastër” nga kjo rrëmujë e shkaktuar nga SPAK dhe për të vazhduar qeverisjen, duke parë edhe situatën në të cilën ndodhet opozita.
“Lëvizje në qeveri do të ketë nëse nuk ka zgjedhje të parakohshme. Ose situata është më keq dhe Rama me kabinetin nuk shkon dot as në zgjedhje të parakohshme. Po shkojmë drejt një situate, kur ekipi me të cilin z.Rama erdhi në pushtet, ka rënë i gjithi. Në momentin që bie ekipi, duhet rilegjitimim. A do të ketë fuqi ta bëjë këtë, gjasat janë të larta, për shkak se nuk ka një opozitë politike përballë.
Rama po bën llogaritë që të dalë i pastër nga kjo rrëmujë e krijuar nga SPAK dhe për të vazhduar qeverisjen i sigurtë për shkak të situatës së opozitës. PD është e sigurtë drejt humbjes. Ajo që mund të bëjë opozita është të nisë një mision të ri politik, nga të dyja anët” shtoi Kulluri.