Dy persona kanë rënë në pranga në Tiranë, pasi kryenin vjedhje të ndryshme dhe më pas sendet i shisnin në dyqan. Të arrestuar janë Ardit Shehu alias Jeton Nelku, 40 vjeç, dhe Ramadan Palushi, 41 vjeç.

Të dy bashkëpunon së bashku, fillimisht ishte Shehu që kryente grabitjet dhe më pas sendet i shiste në dyqanin e tij Palushi. Policia ka arritur të dokumentojë 5 raste të grabitjeve.

– Më datë 02.08.2023, ka vjedhur sende personale në një automjet, në rrugën “Ali Demi”;

– Më datë 10.08.2023, i ka vjedhur me dhunë çantën një shtetaseje, në rrugën “Ali Demi”;

– Më datë 11.08.2023, ka vjedhur një ekran (monitor) në një biznes, në Rrugën e Elbasanit;

– Më datë 16.08.2023, i ka vjedhur me dhunë nga qafa varësen e floririt një shtetaseje, në rrugën “Xhanfize Keko”, si dhe i ka vjedhur me dhunë aparatin celular një shtetasi, në Rrugën e Elbasanit.

Ndaj 40-vjeçarit, rëndon akuza për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja me dhunë”. Ndërsa për Palushin rëndon akuza për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale apo veprimtaria kriminale“.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një varëse dhe një aparat celular, të dyshuar të vjedhur.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.