Nga Agim Musta
Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Portrete bashkëvuajtësish-
(1945-1991)
Dera e kampit u hap dhe një skërfyell i gjatë u fut brenda. Ishte kockë e lëkurë, me ca sy të mëdhenj bojë-qiell, sy të akullt, që shikonin si të hutuar. Mollëzat e faqeve i dukeshin si dy kodra të zhveshura. Flokët i kishte gjysmë të bardhë, gjysmë të thinjur. Një gojë e madhe, me buzë të rrudhosura, pak e hapur, lejonte të dalloje disa dhëmbë të mëdhenj e të rrallë, si gurë kilometrazhi. Ishte veshur me një kostum të zhubrosur prej stofi, që nuk ishte tregtuar në dyqanet tona. Qëndroi në këmbë, midis oborrit të kampit, me një batanije të grisur nën sqetull, duke lëvizur vazhdimisht gishtat e tij të hollë e të gjatë, pa guxuar të bënte një hap më tutje. Jo shumë larg tij, dhjetëra të burgosur e shikonin me kureshtje. Askush s’afrohej për ta përshëndetur, si zakonisht, me fjalët: “Vëlla, nga të kemi? Mos u mërzit. Kjo që të gjeti ty, ka gjetur mijëra të tjerë para teje dhe do të gjejë edhe të tjerë pas teje”!
Papritur u dëgjua një zë, që klithi me të madhe: “Ohh, rumuni! E paskan rrasur brenda”! Ishte Bashkim Kina, një i burgosur elbasanas, që e njihte të porsaardhurin. Kishin punuar së bashku në fabrikën e vajit. I shtyrë nga kureshtja dhe nga humanizmi, i thashë Bashkimit ta merrte rumunin dhe ta sillte tek unë, për të pirë një kafe. Bashkimi iu afrua, e përshëndeti, i dha dorën dhe bashkë me të u drejtua për tek unë. U ulëm mbi dyshekun tim, ku u mblodhën dhe shumë të tjerë. “Nga të kemi, or mik?” – e pyeti Hamdi Fallani, një i burgosur i vjetër, nga Drashovica e Vlorës, që e thërritnim me nofkën “Noksani”. “Rumun, nga Bukureshti, George Nikolau më quajnë” – u përgjigj me një shqipe të deformua dhe zgjati dorën për të marrë një cigare të ofruar nga një i burgosur. “Dhe ti ishe mangët, o rumun. Grekër e jugosllavë kemi me bollëk”, – vazhdoi Hamdiu. Ndërkag Bashkimi e kishte bërë kafenë dhe ia vuri “rumunit” përpara. Ai e piu me një të rrufitur. “Paska qenë teraqi i madh i kafesë”, – tha një i burgosur. Foto Lezoja, i vendosi përpara një thelë bukë të madhe me ca kokrra ullinj, në një kapak kutie. “Sa të kanë dënuar”? – e pyeta. Nuk m’u përgjigj me gojë, po më tregoi të 10 gishtat e duarve. “Po ç’deshe në Shqipëri, or teveqel”?! – i tha “Noksani”
Rumuni nuk mundi të përgjigjej, se gojën e kishte plot me bukë, por vendosi gishtin dëftues në tëmthat, për të thënë se fajin a kishte koka. “Jo, or mik! Ty s’ta ka bërë koka, por këmbët, që të sollën tek ky vend i mallkuar” – tha një i burgosur. “Rumuni” s’reagoi dhe vazhdoi të hante si i babëzitur. “Sa hetuesi bëre”? – e pyeta unë. Ai hapi përsëri gjashtë gishtat dhe m’i tregoi. – Asgjë. 6 muaj?! “Unë kam bërë 26 muaj dhe natë e ditë, vër topuz”, – tha Hamdiu. “Të zdruguan ndopak në hetuesi”? – e pyeti Robert Bishqeni. Përsëri nuk foli, po zgjati duart dhe tregoi shenjat e prangave që i kishin mbetur në lëkurë. “Paske pasur të bësh me Thanas Cakun”, foli Bashkimi, – tortura me byzylykët është metoda e tij e preferuar” “Rumuni” pohoi me kokë. “Ke punuar në cirk si pantomimist”? – e pyeti Mërkuri me shpoti. “Jo, mekanik avionësh” – tha dhe kollofiti kafshatën e fundit të bukës me kokrrën e ullirit. Desha ta pyesja pse kishte ardhur në Shqipëri. Kur kishte ardhur. Me çfarë akuze e kishin dënuar. A kish familje etj., po nuk m’u duk çast i përshtatshëm. Me rast dhe takt do t’i mësoja të gjitha. Ndërkohë tellalli i kampit, Kujtim Pela, bërtiti në kupë të qiellit: “Merri gavetat për bukë”! I dhashë një pjatë alumini, lugë nuk më ndodhej.
“Rumuni” u rrethua me Bashkimin për të marrë supën me patate dhe kur e mori nuk priti të gjente lugë, por e thithi si të pinte një gotë birrë me ekx. Gardiani i caktoi një vend në gjysmerrësirë, nga fundi i kapanonit dhe i dhanë një dyshek kashte, e dy batanije të grisura. Pas dy ditësh erdhi në vendin tim dhe me shumë druajtje, m’u lut t’i jepja një kafe. Ia bëra dhe e ftova të ulej mbi dyshek. Ndezëm nga një cigare dhe në heshtje po shijonim kafenë e ngrohtë. Pa e pyetur, filloi të më tregonte me një shqipe të prishur me theks rumun. “Gjyshi shqiptar nga Berati. Shkuar në Rumani në kohën e Turqisë. Jetoi 90 vjet dhe vdiq më 1930, kur unë isha 10 vjeç. Ishte marangoz. Edhe babai këtë profesion kishte, por u vra nga bombardimi në qershor të 1944-ës. Nënën e kisha rumune, moldaviane. Ka disa vjet që ka vdekur. Gruan e kam besarabiane, nga Jashi. Kam dhe një vajzë që studion për inxhiniere. Gjyshi, që më deshi dhe e desha shumë, shpeshherë më thoshte: Georgiu, mos harro se në dejet e tua rrjedh gjak shqiptari. Këtë mos e harro, sa të jesh gjallë’!
Dhe unë kurrë nuk i preva marrëdhëniet me diasporën shqiptare në Bukuresht. Një ditë, në shtëpinë e një mikut tim, me origjinë shqiptare, u njoha me një nëpunës të ambasadës shqiptare në Bukuresht. Nëpunësi u tregua mjaft entuziast për këtë njohje dhe më bëri një ftesë familjarisht të vizitoja ambasadën me rastin e 28-29 nëntorit. E pranova ftesën me kënaqësi dhe shkova. Në pritje ishin shumë të ftuar me origjinë shqiptare. Para se të largoheshim, nëpunësi më la një takim, në një nga restorantet më luksoze të Bukureshtit. Shkova në orën e caktuar. ‘Nëpunësin’ e gjeta ulur në një separe dhe me të më parë, më ftoi me dorë për te tavolina e tij. Pasi më pyeti për gjërat e zakonshme, ndryshoi menjëherë tonin dhe mori një pozë zyrtare. ‘Dëgjo Georgiu, – më tha – të gjithë Demokracitë Popullore kanë tradhtuar, janë bërë revizioniste. Vetëm Shqipëria në Evropë dhe Kina në Azi, mbajnë flamurin e komunizmit. Ty, si shqiptar, të takon mbrosh Shqipërinë dhe të luftosh për të. Duam të na ndihmosh. Nuk ta lëmë pa ta shpërblyer’ – dhe mundohej të më zhbirilonte, duke më parë ngultas në sy. Pas një pause të rëndë, ai vazhdoi: ‘Ta kërkoj këtë në emër të Atdheut të përbashkët, do të na ndihmosh? Si thua’? “E çfarë mund të bëj unë? – iu përgjigja.- S’e kuptoj, si mund t’ju ndihmoj”?!‘Jo ndonjë gjë e madhe. Ja për shembull, të shpërndash material propagandistik nëpër ndërmarrje, reparte dhe institucione. Tash për tash asgjë më tepër’. Dhe mori një pozë tepër zyrtare. Ndërsa unë po pija gotën e birrës të shoqëruar me haviar, ‘nëpunësi’ i ambasadës nxori nga çanta e tij e zezë një formular në formë deklarate të shkruar rumanisht dhe ship dhe ma vuri përpara për ta firmosur.
‘Shkruaj emrin e plotë dhe firmose’ – dhe nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës stilografin e tij të lyer me ar. Deklarata, ishte një akt, që unë zotohesha të punoja për Sigurimin shqiptar. Georgiu, mos e shit lirë veten, mendova, me stilograf në dorë, dhe e pyeta me gjysmë zëri: ‘Po çmimi sa do të jetë’? Si fillim ke 50.000 lei, pastaj çdo gjë varet nga puna që do të kryesh. Dakord, më tha duke buzëqeshur në mënyrë triumfuese. Dakord iu përgjigja dhe firmosa deklaratën. Me shpejtësi hapi çantën dhe më numëroi 50.000 lei. Pastaj nxori nga një xhep sekret, një pako me trakte të shkruar në gjuhën rumune dhe më porositi t’i futja menjëherë në xhepin e brendshëm. Mori me nxitim deklaratën e firmosur dhe e futi në çantë. U ngrit në këmbë dhe, duke më dhënë dorën, tha me zë të ulët: ‘Suksese, George Nikolau’! – dhe u largua me hapa të shpejtë. Mbeta në tavolinë, duke shtrënguar me dorën në xhep të 50.000 leit. Thirra kamerierin dhe porosita shampanjë. Kisha vendosur të bëhesha tapë. Pas disa ditësh, fillova të shpërndaja traktet. Papritur, diktova se një civil, po më ndiqte nga prapa. Kuptova se isha zbuluar. Nga frika dogja pjesën e trakteve që më kishin mbetur. Të nesërmen, kur po bëhesha gati të dilja nga shtëpia, ia behu një veturë me oficerë të Sekuritates. Më kontrolluan apartamentin dhe më morën me vete. Në një nga seksionet e Sekuritates së Bukureshtit, më priste një hetues i veshur civil. ‘Kujt i shërbeni ju’?, më tha hetuesi duke më shtrënguar nofullat. Nuk e kuptoj, iu përgjigja si i hutuar. ‘Nuk kuptoni’, – më tha dhe bëri një hap drejt meje. ‘Po këto çfarë janë’, duke më tundur disa trakte para hundës. ‘Sa të kanë paguar’?
Spiun i ndyrë! Unë s’jam spiun, jam shqiptar, u përgjigja. Ai i ra me grusht tavolinës. Ti dhe babai yt, keni lindur dhe jeni rritur në Rumani. Haram e paçi bukën që keni ngrënë këtu! Dhe dha urdhër të më çonin në qeli. Të nesërmen në mëngjes, më çuan përsëri në zyrën e hetuesit. Aty ishte dhe një major i Sekuritates. ‘Ju, – tha majori, – keni shpërndarë trakte për hesap të Shqipërisë, trakte me frymë armiqësore ndaj kampit socialist, ku bën pjesë dhe Rumania. Për këtë dënohesh me burg. Po ne menduam ndryshe. Vendosëm të të nisim për Shqipëri. Ndoshta aty të shpërblejnë dhe të bëjnë ministër’, shtoi me ironi. Shoqëruar me një oficer dhe një polic më nisën urgjent për në Kostancë. Më hipën në një anije, që do të nisej në mesnatë për në Shqipëri dhe më mbyllën në një kabinë, nën mbikëqyrjen e një marinari, që ishe siç duket njeriu i Sekuritates. Pas 4 ditësh, mbërritëm në Durrës. Zëvendës kapiteni më dorëzoi në Policinë e Portit, së bashku me një dosje. Pas 1 orë, më morën me “Gaz” dhe më çuan në një shtëpi sekrete të Sigurimit, në Shijak. Aty më mbajtën 1 javë. Më vizitonin vazhdimisht oficerë të Sigurimit, të ardhur nga Tirana, por iknin të deziluzionuar. Pasi e kuptonin se unë nuk kisha ndonjë “peco-groso”
Në mbarim të javës më komunikuan se isha caktuar të punoja si mekanik në fabrikën e vajit në Elbasan. Pas disa muajsh qëndrimi në Shqipëri, kuptova se këtu gjendja ishte më keq, se në çdo vend tjetër të Evropës Lindore. S’durova dot. Fola. Më arrestuan dhe më rrasën brenda. Krye-hetuesi i Elbasanit, Thanas Caku, çdo herë që më merrte në pyetje më shtrëngonte duart me hekura dhe bërtiste duke më thënë: ‘Je spiun, me ç’mision të kanë dërguar’? Kush të ka dërguar? Fol, i poshtër’ – dhe me qëllonte ku të mundte. Jam spiuni juaj, mirë ma punuat. Ai tërbohej dhe më kërcënonte se do të ngordhja në geli, si qen, në qoftë se nuk do të pohoja, se isha dërguar si agjent i KGB-së Sovjetike. O zot! Mos e duro këtë gjëmë, thosha me vete dhe vendosa të duroja çdo torturë, po nuk do të pohoja kurën e kurës me gojën time, një të paqenë që kërkonte xhelati, Caku. Kur e panë se nuk doli gjë nga ajo që kërkonin, e ndërruan pllakën dhe më thanë se kisha sharë Enver Hoxhën, Partinë, kisha folur për mangësitë ekonomike e të tjera broçkulla të tilla. Po i thashë, kam thënë të vërtetën. Më gënjyet!
Më morët në qafë me 50.000 lei të qelbura. Më shkatërruat mua dhe familjen, Zoti mos u duroftë! Brenda dy-ditësh më mbushën proces-verbalin, ku akuzohesha për agjitacion e propagandë. Pas dy javësh më nxorën në gjyq. Kishin sjellë 3 dëshmitarë, që unë s’i njihja as si fytyra. Ata thanë ç’ka i kish porositur hetuesia. I kishin kërcënuar me bukën e gojës dhe me burg, po të mos thoshin ato që donin ata. Më dënuan me 10 vjet burgim dhe qeshnin sikur të më kishin dënuar 10 ditë. Dhjetë vjet! Një jetë, e përse? Kërkova të më kthenin në Rumani, po prokurori, me një buzëqeshje cinike, m’u përgjigj: ‘Vuaj dënimin njëherë, pastaj shohim e bëjmë’. Tani më mori lumi dhe një Zot e di, si do të bëhet”. Sytë e akullt bojë qielli i mbërtheu në një pikë dhe gjithë pamja e tij ngriu, si të ishte goditur nga një shok i fortë elektrik. U tremba dhe më erdhi shumë keq për të. Mendova se mund të qetësohej, duke i dhënë diçka për të ngrënë. I vendosa përpara një tenxhere me grosh dhe një copë bukë të madhe. Për habinë time, nuk pranoi të hante. Kujtimet e tmerrshme, ia kishin prerë oreksin. I dhashë një cigare. E thithte tymin me gjithë forcën e mushkërive. U ngrit të ikte. Iu luta ta merrte me vete tenxheren me grosh. E mori si me përtesë dhe më falënderoi me gjithë shpirt. U largua si një hije e gjatë, i kërrusur, me tenxheren në dorë.
Kisha dëgjuar për Kosta Filin shumë gjëra. E kisha pare të filmuar, kur doli si dëshmitar kryesor në gjyqin e Kundëradmirali Teme Sejko. Emri i Kostës ato ditë, lakohej në të gjitha rasat në seancat e gjyqit fantazmë. Kosta Fili! Kush ishte ky “palikar” që u bë “hero” i ditës në ato ditë maji, të vitit 1961? Rasti e solli ta njihja personalisht në kampin me punë të detyruar të Laçit, më 1965. Kishte një shtat mesatar prej atleti, gjysmë biond e me sy bojë qielli. Ishte i shkathët dhe çdo lëvizje e bënte të saktë. Fliste pak dhe dëgjonte shumë. Mjaft i kujdesshëm në marrëdhënie me njerëzit dhe mundohej të evitonte njohjet me bashkëvuajtësit. Shoqërohej vetëm me 2-3 bashkëfshatarë të tij dhe me asnjë tjetër. Rastësia e solli që të flinim afër me njëri-tjetrin, dhe kur mësoi se unë kisha qenë mësues disa vjet në Sarandë dhe në Konispol, filloi të afrohej, po gjithmonë me rezervë. Edhe natën, kur flinte, bënte gjumë lepuri. Shpesh ngrihej nga gjumi dhe qëndronte mbi shtrat duke pirë cigare. Me bisht të syrit, vëzhgonte rreth e qark dhe kontrollonte me kujdes çdo lëvizje. Ishte e qartë se ai ruhej si shejtani nga thimjani, nga ndonjë goditje e befasishme vdekjeprurëse. Mbi shpatullat e tij, mbante shumë gjynahe. Një ditë më tregoi fotografinë e vajzës që vazhdonte shkollën Pedagogjike në Janinë. Ishte një vajzë e bukur 14-vjeçare, me një fytyrë mjaft melankolike.
Për përmbajtjen e letrës që kishte marrë nga familja, nuk më tha asgjë. Mësova se gruan dhe fëmijët, i kishte në Janinë. Ishte arratisur në Greqi, nga katundi i lindjes Mursi, më 1953, në moshën 23 vjeç. Mbasi kishte kryer shërbimin ushtarak në kufi në Jugosllavinë dhe për “merita” të veçanta, ishte graduar nënoficer. Në Janinë kishte zëne punë si fatorino autobusi, në linjën Janinë-Athinë-Janinë. Në fillim të vitit 1959, z. Muzina, një tregtar shumë i pasur, që jetonte në Athinë, i ikur nga Shqipëria për t’i shpëtuar ndjekjeve të regjimit komunist, këshillohet me zotin avokat Papadhima, i arratisur edhe ai në Greqi, po për ato motive të z. Muzina, se si mund t’i tërheqi një sasi ari që e kishte groposur, afër një shelgu në kopshtin e tij, në Muzinë të Delvinës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Z. Papadhima, mbas disa muajsh, njofton z. Muzina, se ai kishte njohur mjaft djem të shkathët, të arratisur nga Shqipëria, të cilët punonin në Greqi, punëra të rëndomta dhe që mund të ishin të gatshëm, ta kryenin misionin e z. Muzina, kundrejt një shpërblimi.
Z. Muzina e miratoi me kënaqësi planin e avokatit, pasi paret e groposura, i konsideronte të humbura. Midis shumë kandidatëve, z. avokat parapëlqeu Kosta Filin nga Mursia, Mihal Licin nga Leshnica dhe Vangjel Zahon, nga Alikoja. Që të tre nga rrethi i Sarandës, që e njihnin mirë terrenin ku do të vepronin. Takimi me të lartpërmendurit, u bë në vilën e z. Muzina, në prani të z. Papadhima, ku u hartua një akt marrëveshje për ndarjen e arit, në mbarim të operacionit. U vendos që veprimi do të kryhej në fshehtësinë më të madhe. Të tre shokët, do të pajiseshin nga z. Muzina, me nga një pistoletë, para se të kalonin kufirin shqiptar. Zoti Muzina, do t’i priste në Janinë, për disa ditë. Kufiri u kalua në dhjetor të 1959-ës, në afërsi të katundit Sminec, ku shtresa e dëborës, ishte mbi 1 metër.
Mbas 7 orë udhëtimi të mundimshëm, të tre shokët arritën në katundin Leshnicë, ku u strehuan te tezja e Mihal Licit. Të nesërmen, kishin vendosur të shkonin në Muzinë, për të marrë arin e groposur, po tezja e Mihalit, mbas një ore, kur tre shokët kishin bujtur në shtëpinë e saj, shkoi e denoncoi në repartin e kufirit dhe ata ranë si miu në çark. Nuk bënë asnjë rezistencë, por ngritën duart lart, me të dëgjuar breshërinë e armëve, në drejtim të shtëpisë dhe thirrën; “Dorëzohuni, se jeni të rrethuar”! I çuan në Komandën e Batalionit në Theollogo, me duart të lidhura nga mbrapa dhe me thasë të zinj në kokë, për të mos u njohur gjatë rrugës. Filluan të tringëllonin telefonatat me Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Bëheshin pyetje dhe jepeshin urdhra me zëra të shqetësuara. Më së fundi u urdhërua nga Ministria e Punëve të Brendshme, që të tre diversantët, të niseshin urgjentisht për në Tiranë, me masa sigurimi të jashtëzakonshme. U përgatitën qelira të veçanta dhe trajtim “special”. Filloi hetuesia intensive. Gjeneral Nevzat Haznedari, iu përvesh punës me vrull të papërmbajtur.
Qysh në ditët e para të 3 diversantë treguan identitetin e tyre, qëllimin e ardhjes në Shqipëri dhe skicat, me të cilat i kishte pajisur z. Muzina për të gjetur arin. Ministria e Punëve të Brendshme, nisi urgjent një grup special oficerësh, në katundin Muzinë, të cilët natën vonë u kthyen në Tiranë, së bashku me arin e gjetur. Megjithëse gjetja e arit vërtetonte katërcipërisht deponimet e “3 diversantëve”, hetuesit kërkonin me këmbëngulje deponime të tjera, për misionin e tyre “tepër sekret”, të ardhjes në Shqipëri.
Nga torturat e përdorura prej xhelatëve hetues, Vangjel Zahoja, çmendet, kurse Mihal Liçi, kthehet në një kufomë të gjallë dhe përfundon në spital. Kosta Fili, për t’i shpëtuar fatit të shokëve të tij, pranon të luajë çfarëdo roli që do t’i ngarkonin. Mbas vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri, në maj 1959, i cili deklaroi në aeroportin e Rinasit, se vinte në Shqipëri si ajo amvisa e mirë, për të fshirë pluhurat nga raftet, Enver Hoxhës, çdo ditë i përforcohej ideja se; sovjetikët kishin filluar të dyshonin për të dhe mund të përgatitnin përmbysjen e tij, me anën e ushtarakëve të lartë shqiptarë, të përgatitur në Bashkimin Sovjetik. Diktatori Hoxha, filloi të ravizonte në trurin e tij të sëmurë, një projekt plan për të dhënë një goditje në radhët e ushtrisë, me qëllim frikësimi të oficerëve madhore. Qysh në muajt e parë të vitit 1960, ua paraqit idetë e këtij plani, shokëve të tij Mehmet Shehut e Hysni Kapos, duke rënë dakord që, “Kurbani” do të ishte Kundëradmirali Teme Sejko, i pasuar nga një grup oficerësh në Marinë, në Ushtri dhe kuadro partie.
Për zbatimin dhe detajimin e hollësishëm të këtij plani, u ngarkuan ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu dhe tre ndihmësit e tij; Rexhep Kolli, Aranit Çela dhe Nevzat Haznedari. Plani i detajuar, në fillim të majit, iu dërgua diktatorit për miratim, i cili, mbasi e miratoi, dha porosi që goditja të bëhej e rrufeshme dhe se repartet e Kufirit e forcat e Sigurimit, të viheshin në gatishmëri nr.1, për të krijuar psikozë në popull, se diçka përgatitej nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm kundër Shqipërisë. Më 1 korrik 1960, u arrestua Kundëradmirali “Komplotist”, Teme Sejko, së bashku me 100 persona të tjerë, të piketuar qysh më parë, nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ndaj këtyre fatkëqinjve, u vunë në përdorim, “Kosheret e bletëve”, të shpikura nga mendja diabolike e xhelatit Nevzat Haznedari. Për shumë muaj me radhë, “Kapiteni i Asfalisë”, Kosta Fili, mësonte përmendësh nga oficerët e Sigurimit, rolin që do të luante në gjyqin dramatik të Teme Sejkos.
Ai trajtohej me ushqim special, njihej me anën e fotografive me personat kundrejt të cilëve do të depononte, mësonte pyetjet e mundshme që mund t’i bëheshin nga të pandehurit, dhe përgjigjet që do t’u jepte. Gjyqi u hap në fund të muajit maj 1961, në kinema “Brigada”, rrethuar me tre kordonë policësh dhe oficerë Sigurimi. Nuk mungonin dhe dy makina zjarrfikëse në gatishmëri të plotë. Nga masat e Sigurimit, ky gjyq ua kalonte të gjitha gjyqeve që ishin zhvilluar deri atëhere në Shqipëri, nga diktatura komuniste. Në sallë hyhej vetëm me ftesa, të cilat u ishin ndarë kuadrove të larta të dikastereve, Ushtrisë dhe Sigurimit. Ishin ftuar dhe pjesëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
Prokurori i gjyqit, ishte xhelati i mirënjohur i popullit shqiptar, Aranit Çela dhe kryetar, Shuaip Panariti. Dy të arrestuarit kryesorë, Taho Sejko, ish-kryeredaktori i “Zërit të Popullit” dhe Hajri Mane, ish-kapiten i Zbulimit, nuk u nxorën në bankën e të akuzuarve, se kishin vdekur gjatë torturave në hetuesi. Të pandehurit kryesorë ishin: 1. Teme Sejko (Kundra-admiral), 2. Abdyl Resuli (nënkolonel në ushtri). 3. Tahir Demi (kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit), 4. Sami Murati (ish-sekretar i Komitetit të Partisë në rrethin e Sarandës), e të tjerë. Nuk mungonte në zbarën e të akuzuarve dhe gaztori 65-vjeçar, Jonuz Purizo, kryeplaku i katundit Vërvë, gjatë tri regjimeve, që i jepte këtij gjyqi tragjik dhe ngjyra të theksuara komike.
Në akt-akuzën e lexuar nga prokurori, thuhej se organet e Sigurimit të Shtetit, të udhëhequra nga “porositë” e shokut Enver, kishin zbuluar një nga komplotet më të rrezikshme kundër Partisë dhe Republikës Popullore të Shqipërisë, të përgatitura nga UDB-ja jugosllave, monarko-fashistët grekë dhe Flota e Gjashtë Amerikane, të dislokuar në Mesdhe, kishin përgatitur për vite me radhë këtë plan gjakatar “për të përmbysur” pushtetin popullor në Shqipëri dhe popullin shqiptar do ta mbytnin në një lumë gjaku, por në sajë të vigjilencës së Sigurimit dhe të Partisë, me në krye shokun Enver, komploti dështoi dhe komplotistët dolën në bankën e të akuzuarve. Gjithë akt-akuza ishte një kopje e zbehtë e akt-akuzave të gjyqeve staliniste të zhvilluara në Moskë, gjatë viteve 1936-1937, e hartuar tërësisht me trillime të shpifura, që nuk mund t’i besonte askush, përveçse komunistëve fanatikë dhe injorantë. I vetmi gazetar i huaj, që u lejua të merrte pjesë në disa seanca gjyqësore qe një gazetar polak, i cili shkroi se: “Gjyqi kundër Teme Sejkos, ishte një kostum i zi, i qepur me penj të bardhë”.
Ky përcaktim u transmetua dhe nga Radio Londra, gjatë komenteve të saj në gjuhën shqipe. Të gjithë komentatorët e radiove të huaja, gazetarë, specialistë për çështjet ballkanike dhe opinion i shëndoshë në vend, thoshin se ky gjyq ishte fund e krye një trillim dhe shigjetat e padukshme drejtoheshin kundër rusofilëve, duke i paralajmëruar se; kështu do ta pësonin të gjithë ata, që do të guxonin t’u shkonte ndërmend të ngriheshin kundër Enver Hoxhës. Kosta Fili, me gradën e “Kapitenit të Asfalisë”, i veshur shik, me kravatë dhe këmishë franceze, në çdo séance, depononte kundër të pandehurve, për takimet që kishte pasur me ta, si koordinator i “Komplotit”. Ai fliste për kontaktet me Panajot Plakun, Haki Rushitin, Teme Sejkon, Hajri Manen e të tjerë, për urdhrat e gjeneralëve grekë, jugosllavë dhe amerikanë, koordinimet e komplotistëve me shtabet e jashtme, për mesazhet e koduara që kishte transmetuar dhe të tjera profka, që i kishte mësuar përmendësh, nga hetuesit e Sigurimit, gjatë gjithë kohës së izolimit të tij.
Çudia ishte se çdo gjë që Kosta depononte kundër të pandehurve, ata e miratonin pa asnjë hezitim, madje disa, me pohimet e bëra, rëndonin më tepër pozitën e tyre të mjerueshme. Avokatët u porositën, se mbrojtja e të pandehurve nuk do t’i kalonte 15 minutat dhe do të ishte shumë e matur. Avokati i mirënjohur, Koço Dilo, më ka treguar në lidhje me këtë gjyq, se ka qenë për shumë ditë mjaft i shqetësuar, mbasi kishte përdorur gjatë mbrojtjes, për një të pandehur, fjalën fatkeq. Gjyqi dha vendimin me vdekje, për shtatë të pandehur, midis të cilëve: Teme Sejko, Abdy1 Resuli, Tahir Demi, Ali Arapi dhe për katër të tjerë; dënime me burgime të rënda. Mbas këtij gjyqi, Gjykata Ushtarake e Tiranës, dënoi me vdekje, shumë “komplotistë” të lidhur me Teme Sejkon, si majorin e Zbulimit, Nevruz Bejleri, Refat Hamitin, Bego Plakun, Rushan Mullain, Dalan Dalanin, duke mos përmendur dhe të pafajshëm. Në të gjitha këto gjyqe, Kosta Fili, ishte dëshmitar i akuzës. Vetë ai u dënua me vdekje, por, kur mori përsipër rolin e ngarkuar, dënimi iu kthye me 25 vjet burg. Me frikë në zemër dhe ndërgjegje të vrarë edhe sot jeton në Gumenicë të Greqisë, i vetmuar, i sëmurë dhe i heshtur si peshku.
Sinteza e këtij gjyqi të trilluar, mund të përmblidhet me një fjali të thënë, nga i pandehuri Jonuz Purizo, kur prokurori i gjyqit Aranit Çela, lexoi akt-akuzën kundër Jonuz Purizos, midis të tjerash, thuhej se Jonuzi, kishte qenë katër herë në Greqi, si i dërguar i grupit të Teme Sejkos dhe kishte bërë takime me gjeneralin Sarafis, shefin e Kundërzbulimit Grek dhe nënkomandantin e Flotës së VI-të amerikane, admiralin Xhonson. I pyetur nga kryetari i gjyqit, Shuaip Panariti, nëse e pranonte aktakuzën, Jonuzi përgjigjet se akt-akuza, nuk është e saktë, pasi ai ka qenë 6 herë në Greqi dhe jo 4 herë, siç tha prokurori. Shuaip Panariti i irrituar nga fjalët e Jonuzit i thotë: “Po ç’na thua kështu more Jonuz, të rrema”?! Dhe Jonuzi plak gjysëm analfabet, përgjigjet: “Po të gjitha të rrema janë këto zoti Kryetar”. Një ilaritet përshkoi sallën me të ftuar të zgjedhur dhe askush nuk mendoi për tragji-komedinë e vërtetë, që luhej në Kinema “Brigada” të Tiranës, ato ditë të muajit maj të vitit 1961.
Shënim: Pas vendimit të gjyqit, kundër Admiralit Teme Sejko, të cilit i ishte premtuar, se pas mbarimit të gjyqit do të dërgohej jashtë shtetit, ai u muar nga burgu nga shefat e Sigurimit Rexhep Kolli dhe Nevzat Haznedari dhe në një bazë sekrete, u torturua deri sa vdiq. Memorie.al