“Injorova Barçën dhe prita Realin”, Rodrygo:
Rodrygo ka një detyrë të vështirë në këtë sezon me Real Madrid, pasi i duhet të mbulojë hapësirën e lënë bosh nga një kampion si Karim Benzema. Megjithatë, braziliani e nisi me gol sezonin e ri dhe gjithashtu edhe në sezonin e kaluar tregoi se është një sulmues që e njeh mirë portën e që i shton shumë kualitet lojës së Realit.

Klubi madrilen ka qenë gjithnjë ëndrra e 22-vjeçarit dhe në një intervistë për “Globoesporte” zbulon se e priti gjatë për ofertën e Realit pavarësisht se kishte siguruar ofertë edhe nga Barcelona. Rodrygo shpjegon se në momentin që kuptoi interesin e Los Blancos, as nuk mendoi të bënte negociata në lidhje me pagën.

“Kisha një ofertë nga Barcelona dhe gjithçka po shkonte në rrugën e duhur me katalanasit. Mungonte vetëm firma ime, por unë vazhdoja të pyesja babain nëse kishte ndonjë lajm nga Reali. Kisha propozime nga të gjitha klubet, vetëm nga Reali jo. Ndaj, i thashë të gjithëve se do të prisja për zhvillime pas fundjavës sepse do të luaja një ndeshje me Santosin kundër Vitorias. Në atë sfidë fituam 5-2, unë shënova tre gola dhe asistova në një rast.

Reali nuk kishte pritur për fundin e ndeshjes, por kishte telefonuar babain tim. Sapo e mora vesh këtë lajm i thashë se do të luaja për Realin, nuk doja të negocioja për asgjë. Nuk kishte nevoja që ata të bënin një ofertë, do të pranoja gjithçka.

Pasdite, babai shkoi në dhomën time, aty unë kisha dy fanella; një të Realit dhe të Barcelonës. Më tha se do të më pyeste për herë të fundit se cilën do të zgjidhja, mora atë të Realit menjëherë. Kur mbërrita në Madrid isha pak nervoz, takova djemtë dhe trajnerin Zidane. Kisha pak frikë kur pashë Zidane për herë të parë, por ishte shumë i sjellshëm. Shëova një gol me të rinjtë dhe mendova se do të më ftonin në ekipin e parë, por jo.

Më pas shënova një tregolësh në Champions, por më ulën në stol ndeshjen tjetër, madje nuk luajta fare. Është e vështirë te Reali, duhet të jesh i kujdesshëm që të mos humbasësh durimin. Por, ata e panë që unë isha i qetë dhe mendoja vetëm për t’u përmirësuar”, u shpreh Rodrygo.