Interi është i kapur fort pas Lautaro Martinezit. Në sezonin në të cilin ata duan të kthehen në çatinë e Italisë dhe të fitojnë yllin e tyre të dytë, zikaltrit shpresojnë që të kenë kapitenin e tyre në gjendje optimale, pasi në të shkuarin tregoi “superfuqinë” e tij dhe luajti 57 ndeshje nga 57 të Interit.
Pasi e nisi me dopietë në javën e parë ndaj Monzës, ku kontributi i tij mbërriti në 101 gola (81 gola dhe 20 asiste) me fanellën zikaltër në Serinë A, argjentinasi do të synojë të shtojë një tjetër rekord sot në 20:45. Në transfertën ndaj Kaljarit, sulmuesi do të tentojë të udhëheqë sërish skuadrën, për më tepër që gjen viktimën e preferuar përballë. 26-vjeçari ka shënuar 8 gola në 8 ndeshjet në kampionat kundër Kaljarit dhe do të provojë vazhdimësinë e rendimentit perfekt të tij.
RAPORTI ME SKUADRËN – Për të shfrytëzuar më së miri potencialin e tij, Lautaro duhet t’i bëjë llogaritë edhe me shokët e skuadrës. Një vit më parë Edin Xheko dhe Romelu Lukaku ishin aty gati për të qenë protagonistët e repartit, të etur për të trashëguar rolin e liderit sulmues të skuadrës në vend të argjentinasit. “Demi”, pavarësisht se ia doli të kursente disa herë energji fizike dhe mendore, arriti në fund të sezonit me 28 gola të shënuar, 21 prej të cilëve në Serinë A.
Këtë sezon, ndërkohë që Sançezit e njeh mirë, dy shokët e tjerë të repartit duhet ende të studiohen. Me Turamin do të jetë më e lehtë për të ndarë hapësirën: Markus pëlqen të lëvizë shumë në frontin ofensiv, madje edhe duke shkuar për të marrë topin jashtë zonës. Kështu, Lautaro mbetet hallka e fundit, ai që duhet të shndërrojë në gol çdo top që vjen në zonë. Nga ana tjetër, me Arnautoviçin do të duhet të jetë i mirë në shfrytëzimin e aftësisë së austriakut për të luajtur me shpinë nga porta dhe për të krijuar hapësira: aty duhet të jetë gjithmonë Lautaro, që duhet të përmirësojë shifrat e skuadrës. Me pak fjalë, është një Inter “Lautarocentrik”, që do të varet nga kampioni i botës, me Inzagin që ka për detyrë të menaxhojë energjitë e sulmuesit, por pa lënë pikë rrugës.
MENAXHIMI – Natyrisht do të jetë thelbësore të shmangen periudhat e shterpësisë së Lautaros, që kanë frenuar deri tani ndikimin e tij tek Interi. E megjithatë, në 2023- shin Lautaro mbetet sulmuesi me raportin më të mirë gol/ minuta në Europë me 1 gol çdo 89.81 minuta. E përkthyer në terma praktike, duket sikur Interi e nis gjithmonë nga 1-0 me të në fushë. Lautaro synon të mbërrijë në 30 gola këtë vit, me synimin për të marrë edhe trofe, ndër të cilët titulli i 20-të për Interin. Lotët e dy viteve më parë, kur Milani fitonte titullin në javën e fundit, duke e bërë të pavlefshme fitoren e zikaltërve dhe ato të Stambollit në finalen e Champions League ndaj Mançester Sitit janë një kujtim i hidhur për 26-vjeçarin, që kërkon të fshijë kujtimet e trishta me fanellën zikaltër dhe të shkruajë faqe të lavdishme.