Joaquin Correa nuk bën më pjesë në planet e Interit dhe ky nuk është më një sekret. Sinjalin më të qartë sulmuesit 29-vjeçar ia dërgoi trajneri Simone Inzaghi mbrëmjen e të shtunës në ndeshjen ndaj Monzës, ku preferoi të luajë me një mesfushor si Mkhitaryan në vijën e parë të sulmit dhe nuk e aktivizoi asnjë minutë argjentinasin. I ndodhur në këtë situatë, Correa ka autorizuar agjentin e tij që të nisë punën për t’i gjetur një tjetër skuadër, teksa ofertat nuk mungojnë, por të gjitha janë larg pritshmërive të Interit dhe vetë sulmuesit.
Kështu Torino është gati të marrë argjentinasin në huazim me të drejtë blerjeje dhe te Interi nuk janë kundër, por ‘granatat’ nuk munden të paguajnë pagën prej 3.2 milionë eurosh në sezon që përfiton Correa në Milano.
Së fundi në skenë kanë dalë edhe francezët e Lille, që kanë kontaktuar direkt me agjentin e Correas dhe pritet të nisin negociatat me Interin, që për ta shitur përfundimisht, pretendon një shifër prej 12-15 milionë eurosh.
Në rast largimi të Correas, zikaltrit do të firmosin me Alexis Sanchez, sulmues kilen që është pa skuadër dhe po pret pikërisht Interin, për të nisur aventurën e tij të dytë në Milano.