Roberto Mancini, në mënyrë të befasishme, i ka dhënë fund ekperiencës së tij pesëvjeçare në kombëtaren italiane.
Për ish-trajnerin e Interit dhe Manchester City, duket se është gati një kontratë trevjeçare me kombëtaren e Arabisë Saudite, ku do të përfitojë 18 milionë euro në sezon.
Kombëtarja e Italisë është duke menduar për zëvendësuesin, ku dy emrat më të lakuar janë Luciano Spalletti dhe Antonio Conte. Të dy teknikët shihen si shpëtimtarë duke pasur parasysh rëndësinë e rolit dhe nevojën për të ngritur kokën pas dy dështimeve radhazi për tu kualifikuar në Botëror.
Karizma, përvoja dhe qëndrimi i fortë i karakterizon të dy. Por nëse Spalletti, siç u tha, ka përfituar një avantazh të konsiderueshëm ndaj konkurrentit të tij, FIGC ka së pari një çështje delikate për të zgjidhur dhe ajo është kontrata që ende e lidh trajnerin me Napolin.
Rinovimi që Napoli ushtroi në mënyrë të njëanshme pranverën e kaluar do të thotë se Spalletti është ende nën kontratë deri në qershorin e ardhshëm. Në këtë rast ose Spalletti jep dorëheqjen (por dorëheqja mund të refuzohet) ose De Laurentiis duhet ta lirojë atë, duke gjetur një marrëveshje konsensuale.
Ose përsëri është e nevojshme që palët t’i drejtohen Dhomës së Pajtimit për të gjetur një ndërmjetësim. Një problem që FIGC ende shpreson të jetë në gjendje ta përballojë dhe ta zgjidhë me kontributin aktiv të vetë Spallettit dhe De Laurentiis. Sigurisht që Federata nuk ka ndërmend të paguajë para për të liruar trajnerin.
Pas Spallettit, si zgjidhje po aq e mirëpritur qëndron Antonio Conte. Ai i dha fund marrëdhënies së tij me Tottenham dhe ka qenë i lidhur me Interin dhe Juventusin, por pa arritur kurrë negociata reale. Mbi të gjitha ai tashmë e ka kryer detyrën e trajnerit të bluve me rezultate të shkëlqyera përpara se të tentonte aventurën në Premier League. Por për momentin është një hap poshtë rivalit.
Hipotezat e tjera kanë humbur forcën dhe qëndrueshmërinë minutë pas minute. Kohët e fundit ishte folur edhe për Allegrin, i cili qëndronte si hipotezë për vitin 2024, pas Kampionatit Europian. Sigurisht që tani do të ishte shumë e ndërlikuar të parashikohej, për shkak të vlerës së lartë të kontratës me Juventusin, pasi fiton 7.5 milionë euro plus bonuse në sezon.