Leonardo Bonucci u njoftua nga Juventusi se nuk bën pjesë në planet e klubit, paçka se mbrojtësi 36-vjeçar ka edhe një vit kontratë me bardhezinjtë. Tanimë në skenë ka dalë Ajax, me gjigantët holandezë që kërkojnë mbrojtësin të paktën për një sezon.

Mbrojtësi u informua se nuk është pjesë e planeve të Juves për këtë sezon, pasi trajneri Max Allegri e la jashtë turneut parasezonal në SHBA. Veterani fillimisht ishte i vendosur që ta bënte Allegrin të ndryshonte mendje, teksa në skenë kanë dalë alternativa të tjera. Sipas De Telegraaf, një nga opsionet është Ajax për sezonin e fundit të kontratës së ish-kapitenit të Zonjës.

Për shkak të situatës, bardhezinjtë do të ishin të lumtur ta linin Bonuccin të largohej falas ose në formë huazimi, për sa kohë që ata mund ta hiqnin pagën e tij nga librat e llogarisë.

Italiani mbushi 36 vjeç në maj dhe kërkon të jetë pjesë e skuadrës së Italisë për turneun EURO 2024, për sa kohë që luan rregullisht në nivel klubesh. Sampdoria dhe Lazio u përmendën gjithashtu si transferime të mundshme për mbrojtësin që ka 431 paraqitje në Serie A.