Këngëtari Ermal Meta ka reaguar ndaj gazetarit dhe ish-senatorit të PD Tommaso Cerno, aktualisht drejtor i gazetës “L’Identita”, i cili sulmoi ashpër shqiptarët, pas bujës që bëri një faturë e papaguar e disa turistëve italianë në Berat.
“Gjest i bukur i Melonit për faturën e papaguar të një grupi hajdutësh italianë. Por nëse ambasada shqiptare do të dëmshpërblente Italinë për vjedhjet e kryera në 20 vitet e fundit nga shtetasit shqiptarë, ajo do të falimentonte”, shkruajti ai.
“I dashur Tommaso, me sa duket antenat e drejtuara drejt Perëndimit (i vetmi drejtim i mundshëm) i kanë mësuar disa të jenë të pandershëm dhe dashakeqës.
Shpesh njerëzit e zakonshëm maskohen nga ironia, por pikërisht kur vrenjten e tregojnë veten për atë që janë. Domethënë pak. Dhe më vjen keq sepse mendoj se je një njeri shumë inteligjent”, shkruan Ermal Meta.
Por sipërmarrësja, gazetarja dhe aktivistja shqiptare Anita Likmeta, që jeton në Itali, ka reaguar shumë më ashpër se Ermal Meta.
“Shqiptarët, sidomos ne fëmijët, kemi paguar një çmim shumë të lartë për atë që na ka bërë shtypi italian, pra atë që njerëz si ju na kanë bërë. Na keni bërë të ndihemi si asgjë e përzier me asgjë prej vitesh.
Ne ishim pa shtetësi, hije të tmerruara nga paragjykimi i parapaketuar që transmetohej çdo ditë.
Qeveria shqiptare nuk i detyrohet absolutisht asgjë Italisë, e cila po të hapim këtë debat, në vend të kësaj duhet të japë shpjegime për shembull për piramidat financiare dhe 103 shqiptarët që u përplasën dhe u vranë në kanalin e Otrantos në 1997. Të vdekurit që edhe sot nuk e kanë marrë kurrë drejtësinë.
Kryeministri Edi Rama bëri shumë mirë që e la kryeministren Giorgia Meloni të shijonte mezen e asaj urrejtjeje dhe paragjykimi, viktima të së cilës kemi qenë të gjithë ne shqiptarët në Itali dhe në botë. Dhe zoti Cerno, më lejoni t’ju them, ju jeni një idiot. Informohuni”, shkruan ajo.