Ish-deputeti demokrat dhe shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu i është përgjigjur të gjitha akuzave se në kullën që pritet të ndërtohet në qendër të Tiranës është e përfshirë edhe opozita. Sipas Balliut, këto janë të gjitha shpifje dhe qëllimi është ‘ekzekutimi’ i opozitës së vërtetë.

Balliu u shpreh se nuk ka asnjë prove apo fakt që e përfshin opozitën e Berishës në përfitimin e kësaj kulle. “Është akuzuar opozita se është pronare e kullës! Si dalim ne pronarë, nga rrjedh kjo? Ka ndonjë informacion, ka ndonjë njeri i PD që ka ndonjë biznes? Nga doli kjo? Ndërkohë që merremi me këtë asnjë nuk merret me lejen. Më thoni ju ku është një prove? Pse habiteni për këtë kullën, do bëhet kullë të parku Rinia, te liqeni. Ne kemi kohë që themi që paratë e drogës pastrohen me kulla.

I gjithë thelbi i kësaj shpifje është plani për ekzekutimin e opozitës. Plani është zëvendësimi i opozitës me disa organizma që i ligjëron qeveria dhe shërbejnë për të sulmuar opozitën e vërtetë. Opozitën që ka denoncuar me emra”, tha Klevis Balliu. “Goditjen rënie e euros e mori gjatë dhe pas zgjedhjeve. Ato ishin para që u hodhën për blerjen e votave, para që u hodhën gjatë fushatës. Ne e dimë që në Shqipëri qartazi droga është në cdo vend. Droga tani mbillet edhe në institucionet e shtetit.

Këto para të drogës shpenzohen, hidhen, ndërkohë qytetarët nuk kanë para. Janë 1.8 mld euro që janë hedhur në ndërtime në Shqipëri. Qytetarët nuk kanë lekë, rrogat e tyre nuk mjaftojnë për të bërë shpenzime. Arsyeja është që ka kaq shumë euro, janë paratë e drogës që pastrohen në kulla dhe pallate apo në offshore. Problemi themelor është që kjo na tregon rënien e ekonomisë, varfërimin e qytetarëve dhe pasurimin e pushtetarëve.

Qeveria mjafton të ndalojë lekët e drogës dhe të ndalojë vjedhjet dhe ky problem nuk ekziston. Por këta nuk janë për të qeverisur vendin. Paratë numërohen në Surrel në bashkëveprim me Veliajn. Nuk mundet asnjë biznesmen, më i madhi në botë nuk ndërton dot pa marrë leje të bashkia”, u shpreh Balliu në Panorama TV.