Inter Miami fitoi 4-0 kundër Charlotte në çerekfinalet e Kupës së Ligës në SHBA. Në Florida, vendasit e Tata Martinos dominuan takimin duke shënuar dy gola në secilën pjesë.

Përballja u hap me Martinez, që në të 12 minutë shënoi nga penalltia. 20 minuta më vonë, në të 32-tën ishte Taylor që dërgoi në rrjetë një pasim të Yedlin. Fraksioni i parë do mbyllej me këtë rezultat, teksa në të dytin vendasit kontrolluan lojën. Autogoli i Malanda në të 78 minutë i dërgoi shifrat në 3-0, teksa për të vulosur takimin mendoi Lionel Messi. Kapiteni i Inter Miami shënoi golin e katërt në minutën e 86-të, pas asistit të Campana.

Me këtë fitore, Miami gjen në gjysmëfinale skuadrën e Philadelphia Union dhe është një hap larg finales së madhe. Afrimi i Messit në ekip ka dhënë shkëndija, me klubin që sheh veten në finale. Në pesë ndeshjet e luajtura në Kupën e Ligës, Messi ka shënuar tetë gola.

Pas 11 ndeshjeve që nuk shihnin fitore pa Messin, Inter Miami ka katër fitore dhe një barazim në pesë ndeshjet e fundit. Veç “Pleshtit”, ndikim në ekip kanë pasur edhe afrimet e Busquets dhe Jordi Albës, që e kanë bërë skuadrën nga Florida pretendente për trofeun e Kupës.