Lideri i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka thënë të premten se e ka urdhëruar kryeministrin e vendit ta kontaktojë Poloninë, dhe se është i gatshëm për bisedime për shkak të rritjes së tensioneve kufitare mes anëtares së NATO-s dhe aleates së Rusisë.

Javën e kaluar, Polonia tha se dy helikopterë bjellorusë e shkelën hapësirën e saj ajrore dhe e arrestoi një burrë bjellorus, nën dyshimin se ishte pjesë e “zinxhirit të spiunazhit rus”.
Marrëdhëniet mes Minskut dhe Varshavës, të ngrira tash e sa vite, u përshkallëzuan qëkur Lukashenko e lejoi Moskën ta përdorë territorin bjellorus për ta sulmuar Ukrainën.

Tensionet u përshkallëzuan edhe më shumë kur Minsku u bë bazë e re e luftëtarëve të grupit mercenar nga Rusia, Ëagner. Polonia e quajti këtë kërcënim dhe si pasojë e përforcoi mbrojtjen kufitare. “Ne duhet të flasim me polakët. E kam urdhëruar kryeministrin t’i kontaktojë ata”, tha Lukashenko, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Belta.

“Ne jemi fqinj dhe fqinjët nuk mund t’i zgjidhesh”, tha lideri bjellorus.

Këto deklarata të pazakonta të tij vijnë vetëm një ditë pasi Varshava njoftoi se do t’i dërgojë edhe 10 mijë trupa në kufi me Bjellorusinë.

“Ata kanë zgjedhje parlamentare më 15 tetor, natyrisht se ata kanë nevojë ta përshkallëzojnë situatën… për të treguar se e kanë armatosur siç duhet [Poloninë]”, theksoi Lukashenko.