Ndërkohë që Harry Maguire përgatitet për të finalizuar transferimin e tij drejt West Hamit, vetëm 4 vite pasi u ble 80 milionë paundë nga Man. United, Erik ten Hag përgatit listën me disa nga lojtarët që mund ta zëvendësojnë anglezin në prapavijë në ”Old Trafford”. Lojtari i kombëtares së Anglisë përjetoi një formë të shkëlqyer në edicionin e parë me “Djajtë e Kuq” nën drejtimin e Solskjaer, por gjithçka ndryshoi me Erik ten Hag, ku pas një sërë performancash larg pritshmërive, Maguire jo vetëm që u ul në stol, por humbi edhe shiritin e kapitenit.

Me marrëveshjen mes klubeve që është arritur për 30 milionë paundë, United pritet ta zhvendosë vëmendjen te mbrojtës të tjerë, pasi largimi i Maguire e lë Ten Hag me alternativa të cunguara në prapavijë. Edmond Tapsoda i Bayer Leverkusenit, Jean Clear Todibo i Nice, Benjamin Pavard i Bayernit dhe Marc Guehi i Crystal Palace janë opsionet që po merren në konsideratë nga Erik ten Hag dhe drejtuesit për të zëvëndësuar Maguire.

Një tjetër alternativë mund të jetë dhe Chris Evans, i cili u stërvit me Man. United në turin parapërgatitor dhe mund të nënshkruajë një kontratë për një vit për të zgjidhur emergjencën e “Djajve të Kuq” në mbrojtje.

Ndërsa alternativat e reja të mbrojtjes studiohen me kujdes, fokusi kryesor i Man. United është që t’i bëjë një nisje sa më të mirë kampionatit, që për “Djajtë” do të startojë të hënën me një ndeshje në shtëpi ndaj Wolverhampton.