Nga Deana Mitchell VOA
Komisioni që mbikëqyr zbatimin e ligjeve elektorale në Shtetet e Bashkuara, nuk pritet të miratojë rregulla për të kufizuar përdorimin e inteligjencës artificiale në krijimin e reklamave politike, edhe në se ato shtrembërojnë realitetin, në prag të zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen në vitin 2024.
Papa Françesku nuk kishte veshur pallto të firmës luksoze ‘Balenciaga’.
As Presidenti Donald Trump nuk është fotografuar duke u përpjekur t’i shpëtojë policisë. Këto fotografi të rreme janë krijuar përmes inteligjencës artificiale.
Imazhe të pavërteta, tashmë janë bërë pjesë e fushatës presidenciale për zgjedhjet e vitit 2024. Siç është ky montazh, i krijuar nga kundërshtarë të zotit Trump, ku ish-presidenti shihet duke përqafuar ish këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për çështje mjekësore, Doktor Antoni Fauçin, me të cilin gjatë pandemisë së COVID-19 ai shpesh kishin mosmarrëveshje.
Emisioni “Verify”, apo “Verifiko”, që demaskon keqinformimin, vërtetoi se të tre imazhet ishin të rreme.
“Nëse i shikoni fotografitë me kujdes, do të gjeni më shumë prova se ato janë të krijuara nga inteligjenca artificiale. Në vend që të shkruhet Shtëpia e Bardhë, shkruan Mehthap.”
Mashtrimet me reklamat politike, kanë alarmuar organizatën për të drejtat e konsumatorit “Publik Citizen”, ku Lisa Gilbert është zëvendëspresidente ekzekutive.
“Njëra nga gjërat që inteligjenca artificiale mund ta bëjë dhe me lehtësi madje, është të krijojë pamje të paqëna. Pra, një video, apo një audio, që në pamje të parë duket krejtësisht e vërtetë dhe që është e pamundur të dallohet nga videoja e vërtetë.”
Organizata “Public Citizen” kërkon nga Komisioni Federal amerikan i Zgjedhjeve të vendosë rregulla për reklamat elektorale, që përdorin pamje të krijuara nga kompjuteri, por komisioni u përgjigj se kjo çështje nuk bie nën juridiksionin e tij.
Ekziston shumë pak infrastrukturë ligjore për rregullimin e çështjes së inteligjencës artificiale, sipas zotit Xhejms Grimelman, profesor për ligjin mbi informacionin dhe çështjet digjitale në fakultetin juridik të universitetit Cornell.
“Gjykata Supreme e ka bërë të qartë, se është mjaft e vështirë për të, të rregullojë çfarëdo aspekti, përpos në rastet kur bëhet fjalë për gjuhën që është krejtësisht e rreme dhe e dëmshme.”
Ai pret që përdorimi i inteligjencës artificiale në fushata politike të shtohet.
“Do të jetë shumë e vështirë të gjurmohet se kush i ka krijuar ato.”
Në Kongres aktualisht është dorëzuar një projekt-ligj që do të detyronte deklarimin e përdorimit të inteligjencës artificiale për reklamat politike.
SHBA