Man. City ka ndezur interesimin për Lucas Paqueta të West Ham United vetëm pak ditë para startit të Premier League-s. Oferta e parë prej 70 milionësh është refuzuar për brazilianin, i cili luan si mesfushor i avancuar, pasi skuadra londineze që fitoi UEFA Conference League pak muaj më parë nuk dëshiron ta shesë 25-vjeçarin.
Vetë dëshira e Lucas Paqueta është që të largohet dhe të transferohet te kampionët në fuqi të Anglisë dhe të Europës, por, për momentin, drejtuesit e “The Hammers” kanë mbyllur derën e bisedimeve pasi kërkojnë më shumë se 70 milionë.
Për vetë klubin e West Hamit, shitja e dy lojtarëve të rëndësishëm si Declan Rice dhe Lucas Paqueta brenda një merkatoje konsiderohet si një lëvizje e rrezikshme, por pesha e largimit të tyre do të zbutej me afrimet e Edson Alvarez nga Ajaxi, që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim, dhe të James Ward Prowse, që pritet të afrohet për 30 milionë paundë nga Southamptoni.
Pep Guardiola e admiron Lucas Paqueta dhe e kërkon me ngulm në organikën e tij për sezonin e ri, por për ta shtuar në kontigjentin e tij, Man. City duhet të bëjë një tjetër sforco financiare dhe të ofrojë më shumë se oferta e parë prej 70 milionësh, në mënyrë që të bindë drejtuesit e West Ham United.