Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, për vdekjen e babait të tij, Bahri Beci.
Bahri Beci, i cili ishte shkencëtar dhe akademik, ka ndërruar jetë të dielën e 20 gushtit.
Ai ka kujtuar se emrin e akademikut Bahri Becit e ka hasur për herë të parë pak vite pas luftës në Kosovë, kur mes librave të kolanës “Fryma”, ka hasur edhe librin “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri.
Telegrami i plotë:
Shpresoj që ky telegram të ju gjejë mirë bashkë me familjen tuaj. Me pikëllim e kam lexuar njoftimin për vdekjen e babait tuaj, Bahri Becit, të dielën e 20 gushtit. Më lejoni që nëpërmjet këtij telegrami, të ju përcjell ngushëllimet e mia më të ndjera për babain tuaj, Bahri Becin, shkencëtarin e shquar të studimeve gjuhësore dhe akademikun e nderuar të dy akademive tona.
Atë kohë, në Kosovën e sapoçliruar dhe të hapur për diskutime të lira, flitej dhe debatohej ndër të tjera edhe për dallimet mes dialekteve të shqipes dhe nëndialekteve të gjuhës sonë, tema këto që akademiku Bahri Beci i ka trajtuar e studiuar seriozisht dhe me kompetencë profesionale në aq shumë vepra dhe punime shkencore.
Kurdo dhe sido që vdesin prindërit, cilado qoftë mosha e tyre dhe mosha jonë, gjithmonë është tronditje emocionale dhe goditje shpirtërore. Jam i sigurt që akademik Bahri Beci, siç na la gjithë ato vepra të shkruara, juve si familje e tij duhet të ju ketë lënë edhe shumë kujtime familjare me vetë shembullin e jetës së tij. Shpresoj që mes veprave të shkruara dhe kujtimeve të babait tuaj, ta gjeni forcën për ta përballuar këtë dhimbje, në të cilën nuk jeni vetëm.