Një grua nga Kosova dhe vajza e saj kanë shpëtuar nga mbytja në det, falë ndërhyrjes së shpejtë të oficerit të FSK-së, nënkolonel Bexhet Shala, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes së Kosovës. Ngjarja ka ndodhur në plazhin e Shëngjinit, ku nënkolonel Shala ishte për pushime me familjen tij.
“Unë kam bërë vetëm detyrën. Ne si ushtarakë të FSK-së, e kemi mision që çdo herë të jemi në gatishmëri për tu përgjigjur situatave që kërkohen që të jemi të gatshëm të ndihmojmë këdo, pa dallim, deri në vetëmohim”, ka theksuar nënkolonel Bexhet Shala.
“Ushtarakët e FSK-së me besnikëri bartin betimin e tyre, në shërbim të popullit dhe atdheut, për mbrojtjen e tyre, duke mos kursyer as jetën! Intervenimin pa mëdyshje për shpëtimin e dy personave, nënkolonel Shala e ka bërë falë shkathtësive dhe aftësive të tija personale dhe profesionalë, përvojës së tij gjatë luftës në Kosovë si dhe leksioneve të shumta për vigjilencën në situata të ndryshme, si në luftë ashtu edhe në kohë paqe”, ka shkruar Ministria e Mbrjotjes.