Mero Baze
Kam parë shumë reagime histerike rreth rastit të pacientit Fuga. Dhe të gjitha nuk kanë të bëjnë me shëndetin e tij, por me dëshirën për të bërë politikë me shëndetësinë.
Njëra palë, janë raca e atyre që janë gati ta shikojnë dhe të vdekur Fugën, boll që të kenë rast të shajnë qeverinë. Tjetra, nga raca e populistëve të rinj, që kanë zbuluar që shteti të paguajë një më një çdo pacient që i rrezikohet jeta si rasti në fjalë, se “ndaj paguajmë taksa”.
Unë personalisht kam pas një rast të tillë katër vite të shkuara. Një djalë i vetëm i një familje nga vendlindja ime, pati një goditje cerebrale njësoj si aktori në fjalë, dhe përfundoi tek neurokirurgjia. Familjarët e tij që nuk i njeh askush dhe që ishin të lumtur që u kishte ardhur dhe ambulance, më kërkuan të lidhem me mjekun të kuptoj nëse mund të shpëtonte. Mjeku më tha se nëse për dy orë nuk i bëjmë ndërhyrjen në fjalë, me aparatin të cilin e ka vetëm Spitali Amerikan, ai do të vdesë. Për disa minuta mua pa asnjë faj dhe përgjegjësi më ra në pjesë të merrja vendim a duhet të rronte apo të vdiste ai njeri, vetëm për faktin se e kisha nga vendlindja.
I thashë ta çojnë tek Spitali Amerikan se do flas unë me ta, pa ditur fare sa kushtonte.
Më pas mora vesh çmimin që tani e dimë të gjithë, që ishte shokues. Nuk u thashë familjarëve, por mu desh të bëj disa kontrata afatgjata me spitalin, për shlyerjen e tij.
Me siguri ka dhjetëra apo qindra raste që përfundojnë në vdekje. Ajo lloj goditje nuk pyet nëse je i njohur si aktori Fuga, apo i panjohur si ai i njohuri im nga vendlindja që për fat shpëtoi. Ajo sëmundje do para që pacienti të shpëtohet.
Dhe nuk ka asnjë qeveri në botë që i paguan ato para dhe asnjë spital në botë që ta bën atë falas.
I vetmi mjet rregullator në këtë histori është sigurimi shëndetësor i përshkallëzuar.
Sigurimi shëndetësor bazë që ne paguajmë, përveçse për hir të së vërtetës është i ulët, mbulon nevojat jetike të shëndetësisë falas, kontrollet mjekësore, ndërhyrjet e lehta dhe trajtime te sëmundjeve kronike. Nuk jam ekspert të them nëse duhet të mbulojë më shumë apo më pak, por në gjithë botën sigurimi bazë ka një kufizim ndaj ndërhyrjeve speciale apo sëmundjeve të rënda.
Turqia që e ka më të konsoliduar skemën, ka një shkallëzim deri në katër nivele të siguracioneve shëndetësore, të cilat vlejnë për të gjitha spitalet publike dhe private.
Perëndimi, përveç Britanisë së Madhe, ka shkallëzime të ndryshme, por modeli është i njëjtë. Ka sigurim bazë, sigurim të shkallës së dytë që mbulon sëmundje më speciale, dhe sigurim të plotë për gjithçka që të gjen. Britania e Madhe ka një taksë shtetërore për gjithçka, por mirë është mos ta provosh sistemin për sëmundje akute si kjo.
Histeria ndaj spitalit dhe histeria ndaj qeverisë nisur nga rasti në fjalë, është një përpjekje për të bërë politikë me fatkeqësinë, çka është më e keqe se fatkeqësia.
Ajo që duhet të bëjë shteti shqiptar është reforma në sigurimet shëndetësore, dhe njohja e peshës së siguracionit në të gjitha spitalet. Shkallëzimi i siguracioneve mbi sigurimin bazë, është nevojë urgjente.
Spitali nuk mund të fajësohet siç po bëhet, pse ka blerë një aparaturë të shtrenjtë që shpëton jetë njerëzish kundrejt parave, dhe qeveria nuk mund të kthehet në bankomat për çdo sëmundje të rëndë. Por qeveria duhet te jete konkuruese me spitalet private dhe duhet ta kete dhe ajo nje oferte te tille. Per shembull kardiokirurgjia e ka zgjidhur vendosjen e stendave vetem se nuk ka rene ne kete kurth.
Qeveria shqiptare ka listën më të gjerë të barnave të shtrenjta të rimbursueshme për sëmundjet fatale, kryesisht sëmundjet e rënda tumorale apo hepatit c, që ka ndonjë vend i rajonit, dhe është ndër më të avancuarat në Evropë. Provoni të keni një të afërm me tumor, që kërkon 5 mijë euro në muaj kurim dhe të mos jetë ai bari tek lista e rimbursueshme, dhe pastaj provoni të kërkoni llogari për taksën qesharake që paguajmë për sigurimin shëndetësor. Kjo është pikërisht përgjegjësi e qeverisë, reformimi i sigurimit shëndetësor, dhe garancia për sëmundjet fatale, përmes një fondi special.
Të tjerat duhet të mësojmë t’i zgjidhim përmes një sistemi të rregulluar siguracionesh.
Për fat aktori Fuga si pacient është gjallë, por aktorët e tjerë që vajtojnë në emër të popullit të sëmurë, nuk ndjehen rehat. Ata presin pacientin e radhës të fillojnë të derdhin lot përsëri. Por në fakt kjo punë zgjidhet duke derdhur para. Të gjithë, jo vetëm shteti.