Një nga 100 njerëzit më të rrezikshëm të Italisë është kapur pas 11 vitesh arrati, pasi ka parë një ndeshje të Napolit në një restorant në ishullin grek të Korfuzit. Vincenzo La Porta ishte në arrati për 11 vjet dhe u pa në Korfuz duke festuar në një ballkon pasi skuadra e qytetit të tij fitoi kampionatin e Serisë A disa javë më parë, sukses ky që erdhi pas 33 vitesh pritje.
Një foto e tij midis fansave të Napolit bëri që hetuesit ta dallonin dhe hetonin rastin, duke dalë në përfundimin se ai ndodhej në Greqi. Oficerët më pas e ndalën 60-vjeçarin në rrugë, teksa po udhëtonte me skuter.
“E tradhtoi pasioni i tij për futbollin dhe për ekipin e Napolit,” tha policia në një deklaratë. “Me fitoren e kampionatit nga Napoli, La Porta nuk mund të rezistonte të festonte”.
I lidhur ngushtë me bandën e krimit të organizuar Camorra me bazë në Napoli, La Porta është dënuar në mungesë për krime, evazion fiskal dhe mashtrim. Duke u paraqitur para një prokurori grek të shtunën, ai do mbahet në burg derisa një trup gjykues i gjykatës së apelit të vendosë për një kërkesë ekstradimi nga Italia. Autoritetet italiane duan që ai të kthehet në vendlindje, në mënyrë që të vuajë një dënim me 14 vjet burg.
La Porta u kap pranë restorantit ku thuhet se kishte punuar si kuzhinier. Avokati i tij tha se ai ka krijuar një familje të re në Greqi dhe nuk dëshiron të ekstradohet.
“Ai u dënua shumë kohë më parë për shkelje tatimore,” tha Athanassios Giannakouris. “Ai ka krijuar një familje të re në Greqi … ai ka një djalë nëntë vjeç dhe punon si kuzhinier për t’ia dalë mbanë. Ai vuan nga sëmundjet e zemrës. Nëse ekstradohet, ai dhe familja e tij do të shkatërrohen”, tha avokati.
Policia në Itali kishte monitoruar aktivitetin e La Porta prej muajsh, duke pritur që ai të bënte një lëvizje të gabuar që do t’u jepte atyre informacione për vendndodhjen.