Benjamin Pavard ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi si futbollisti më i ri i Interit. Mbrojtësi francez erdhi te zikaltrit për një kosoto prej 30 milionë eurosh, plus dy të tjera në formë bonuses të lidhura me objektivat e klubit zikaltër.
Megjithatë duke iu referuar shifrës fikse prej 30 milionë eurosh të kartonit, Pavard ngjitet i katërti në listën e mbrojtësve më të shtrenjtë që ka blerë Interi në historinë e tij. Futbollisti i prapavijës për të cilin zikaltrit kanë paguar më shumë për ta blerë, është padyshim marokeni Achraf Hakimi, që erdhi nga Reali i Madridit për një shifër totale prej 43 milionë eurosh.
Menjëherë pas tij vjen sllovaku Milan Skriniar, të cilin Pavard do ta zëvendësojë te Interi. Për Skriniar Interi pagoi një kosto totale prej 34 milionë eurosh. I treti në listë është Alessandro Bastoni, që u ka kushtuar 31 milionë euro zikaltërve, ndërsa pas tij pozicionohet pikërisht Pavard.
Mbrojtës të tjerë në renditje janë Cannavaro për 23 milionë euro, Francesco Coco 22.5 milionë euro, Valentin Lazaro 22.4 milionë euro dhe Dalbert 21 milionë euro.