Vetëm 90 minuta larg fazës së play-off, Partizani po i jep dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e kthimit kundër Valmiera në raundin e tretë eliminator të Conference League. Fitorja 2-1 në sfidën e parë të luajtur në transfertë favorizon kampionët shqiptarë, që duhet t’i bëjnë llogaritë me shumë mungesa. Kristian Mba është i fundit që i bashkohet listës së lojtarëve të dëmtuar, ndërsa vazhdojnë rikuperimin dhe nuk janë të gatshëm as Mensah dhe Sembene.
Një mungesë e rëndësishme është ajo e David Atanaskoski. Titullar i padiskutuar në krahun e majtë të mbrojtjes, ai është i pezulluar për shkak të kartonëve. Lojtarëve të padisponueshëm për sfidën e kthimit kundër Valmiera i shtohet edhe Viktor Da Silva. Braziliani është lënë jashtë skuadrës si masë disiplinore nga trajnerit Zoran Zekiç.
Mungesa të shumta, por avantazhi që i jep fitorja e parë qetëson Partizanin. Po ashtu, paraqitja e shkëlqyer e të kuqve në miqësoren kundër Romës i jep një tjetër dozë optimizmi kampionëve të Superligës që kërkojnë të vazhdojnë aventurën europiane në play-off e Conference League.