Piloti i një fluturimi të linjës “Latam Airlines”, që u nis nga Miami me destinacion Santiagon në Kili, u sëmur teksa avioni ishte në ajër dhe vdiq menjëherë pas kësaj.
Avioni – një Boeing 787 – u ngrit të hënën në mbrëmje nga Miami me 271 pasagjerë në bord, por piloti që ushtronte profesionin prej 25 vitesh, pësoi atak kardiak në fluturim.
Kapiteni u sëmur rreth një orë pasi avioni ishte nisur dhe u rrëzua në banjën e aeroplanit. Edhe pse iu dha ndihma e shpejtë, sërisht nuk mjaftoi për ta shpëtuar.
Bashkëpiloti, i cili duhej të bënte një ulje emergjente në qytetin e Panamasë, ka arritur ta ulë mrekullisht avionin në aeroportin ndërkombëtar Tocumen, në Panama.
Kolegu deklaroi se gjatë fluturimit u miratuan të gjitha protokollet e sigurisë për të shpëtuar jetën e burrit, duke thënë se ai ishte “thellësisht i prekur” nga humbja e pilotit.
“Ne jemi thellësisht të tronditur nga ajo që ndodhi dhe shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen e punonjësit tonë“, thuhet në një deklaratë të linjës ajrore.