U kap në flagrancë duke transportuar me automjet, kundrejt pagesës, 5 shtetas të huaj që do të kalonin ilegalisht kufirin, vihet në pranga 54-vjeçari. Sekuestrohen automjeti dhe një aparat celular.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 17”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Klodjan Muça, 54 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në vendin e quajtur Qafë Plloçë, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Citroen” u gjetën 5 emigrantë të paligjshëm, të cilët 54-vjeçari do t’i transportonte kundrejt pagesës, me qëllim që të kalonin ilegalisht drejt vendeve të BE-së. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.